Live

Kurti zgjedh të mërkurën Drejtorin e Policisë?

17:46 / 06 Mars 2023

Nga Kosova Live

Pas 7 muajve prej kur është larguar i vjetri, Qeveria pritet ta emërojë një drejtor të ri të Policisë së Kosovës, këtë javë.

Gazeta Express merr vesh së në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë pritet të jetë në rend të ditës emërimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Javë më parë është raportuar se Gazmend Hoxha ka dalë i pari me pikë në konkursin e shpallur për Drejtor të Përgjithshëm, sipas rezultateve që i kishin publikuar britanikët, të cilët e kanë vëzhguar konkursin.

Hoxha, i cili aktualisht mban pozitën e Drejtorit të Departamentit për Operacione, kishte marrë 27.5 pikë nga 40 sa ishin gjithsej.

Ky është vlerësimi i vëzhguesve të përkrahur nga Ambasada britanike në Prishtinë. Ndërkaq, nuk dihet vlerësimi i Komisionit shtetëror, që përbëhej nga Fahrije Tërnava, Naim Bardiqi, Blerim Hasani, Refike Sulçevci dhe Skender Përteshi.

Momentalisht në krye të Policisë është Fehmi Hoti, si ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm.

Në gusht të 2022-s, drejtori i deriatëhershëm, Samedin Mehmeti dha dorëheqje, pas rastit të dhunimit të një 11-vjecareje nga disa persona në Prishtinë. 

Shpërndaje në

U Kopjua