Live

Kusari-Lila thotë se s’janë kundër kërkesës së opozitës për zgjedhje, por kërkojnë qartësi

13:48 / 29 Mars 2024

Nga Kosova Live

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pas mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë, ka thënë se si parti nuk janë kundër kërkesës së opozitës për zgjedhje të parakohshme, por kërkojnë qartësi.

Sipas saj, partitë opozitare duhet ta bëjnë të ditur nëse duan të shkojnë në zgjedhje apo duan hetim të vazhdueshëm ndaj proceseve me të cilat përballet ekzekutivi.

“Duam të kemi qartësi në proces. Ka një muaj që intensivisht diskutohet për proces zgjedhor, për potencialin apo datën e zgjedhjeve, por në të njëjtën kohë ka nisma që janë çdo gjë pos nismave në përmbushje të agjendës legjislative. Po mungon një vullnet politik sadopak i vogël. Ne nuk po e kundërshtojmë kërkesën e tyre për të shkuar në zgjedhje, por kërkojmë qartësi, a është më e rëndësishme shkuarja në zgjedhje tani apo hetimi i vazhdueshëm ndaj proceseve me të cilat është ballafaquar ekzekutivi”, ka thënë ajo.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit,  ka akuzuar partinë në pushtet për bllokim të hetimit parlamentar.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje i ka dhënë fund një prej shtyllave të demokracisë.

“Sot LVV-ja i dha fund një prej shtylla kryesore të demokracisë. Sot e tutje çdo shumicë që do të vijë në pushtet do ta ketë precedentin e ndërtuar nga Lëvizja Vetëvendosje të bllokimit të hetimit parlamentar dhe kjo është fatkeqe. Dëmi është dhe do të jetë afatgjatë”, ka thënë ai.

Gashi ka shtuar se zgjedhjet do të mbahen më së largu pas 10 muajsh.

“Zgjedhjet do të mbahen, maksimalisht pas 10 muajve, jo kur ka qejf Albini, por kur ka nevojë Kosova. Do të votojmë pro nëse mbahet seanca për shkarkim”, tha Gashi i LDK-së.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka paralajmëruar se gjatë ditëve në vijim do të iniciojnë kërkesë për shpërbërjen e Kuvendit.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të mbajtur të premten, Tahiri ka thënë se afati i fundit për shpërndarjen e legjislaturës së tetë është fundi i muajit prill, me ç’rast do të mundësohej që në qershor të mbahen zgjedhjet e parakohshme.

“Duhet se paku 61 deputetë që ta rrëzojmë qeverinë, këta numra nuk i kemi. Për të dalë më lehtë nga kjo situatë e rëndë, i kemi dhënë një mundësi më të lehtë partisë në pushtet, që ta shpërbëjë Kuvendin”, ka thënë ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka kërkuar që vendit të shkojë sa më shpejt në zgjedhje të përgjithshme.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri ka thënë se AAK-ja është në diskutim me grupet e tjera parlamentare për këtë çështj

“Jemi në diskutim me grupet parlamentare se si t’iu qasemi kësaj çështje. Aleanca e ka pozicionin më komod për këtë temë, ne jemi për të shkuar në zgjedhje sa më shpejt që është e mundur, po ashtu mendojmë se kjo Qeveri duhet të shkarkohet ose të dorëhiqet. Kurti është dorëzuar. Jemi në komunikim me shefat e grupeve parlamentare dhe do të dalim me qëndrim të përbashkët sa i përket kësaj teme”, është shprehur ai.

Shpërndaje në

U Kopjua