Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, të enjten u mundua të shfajësohet përmes një deklarimi publik, pas dyshimeve për përfshirje në skandalin financiar me ambasadorin e Kosovës në Kroaci.
Planet TV raportoi gjatë prillit të vitit 2022 se ambasadori Berishaj akuzohej se është përfshirë në një skandal për shpëlarje parash në Slloveni.
Sipas atyre raportimeve, kompania e ambasadorit Berishaj, “MB Consulting”, i ka marrë 600 mijë euro të cilat gradualisht i ka nxjerrë në para të gatshme e që dyshohet se ia ka kthyer Golobit, që ky pastaj t’i investojë në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet.
Njëjtë si Golobi, edhe Berishaj pati mohuar akuzat duke u kundërpërgjigjur me padi ndaj raportuesve. Për padinë, ai dje tha se po vazhdon një proces gjyqësor.
Megjithatë, Golob u shpreh se këtë lajm e ka nisur partia SDS para zgjedhjeve në Slloveni.
Shprehet se më vonë u zbulua se Berishaj është miku personal i Janez Janshas, kryetarit të SDS-së.
“A e dini se kush e nisi këtë. Këtë e ka nisur partia SDS para zgjedhjeve tona. Në atë kohë ata thanë se më financuan mua dhe fushatën time. Por më pas zbuluam se ky Berishaj, meqë ra fjala është ambasador në Zagreb, është mik personal i Janez Janshas. Dhe në atë moment, gjëja nga Sllovenia u zhduk. Tani u ringjall, me sa duket në Kosovë, ndoshta nga miqtë, armiqtë, nuk e kam idenë”, u shpreh ai në një deklaratë për një televizion slloven.
“Pra, ju e mohoni këtë nëse ju kuptoj saktë?”, pyetet kryeministri slloven, ndërsa përgjigjet: “E gjithë kjo është trillim i pastër”.
Por, kush është kryeministri slloven, i dyshuar si i implikuar në aferën Berishaj?
Robert Golob (1967) është një biznesmen dhe politikan slloven, që shërben si kryeministër i Sllovenisë dhe udhëheqës i Lëvizjes për Liri që nga viti 2022.
Në 2004, Golob bashkëthemeloi një kompani tregtare të energjisë GEN-I, e cila thuhet se kontrollohet nga shteti, dhe ku ai qëndroi kryetar deri në vitin 2021.
Kjo u nënkuptua se Janez Jansha, paraardhësi i Golobit, kishte ndikuar në largimin e tij nga GEN-I.
Midis majit 1999 dhe qershorit 2000, Golob ishte Sekretar i Shtetit në Ministrinë e Çështjeve Ekonomike në qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Janez Drnovšek i partisë LDS.
Në vitin 2002 u zgjodh në Këshillin Bashkiak të Nova Goricës, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 2022.
Kurse, në vitin 2011, Golob iu bashkua partisë “Sllovenia Pozitive”, e themeluar nga kryetari i komunës së Lubjanës Zoran Janković.
Në 2013–14, me rritjen e tensioneve brenda partisë midis themeluesit dhe kryetarit të saj Zoran Janković dhe kryeministres Alenka Bratušek, Golob luajti një rol ndërmjetësues midis dy fraksioneve.
Me shkëputjen e fundit brenda partisë në prill 2014, ai iu bashkua partisë së Alenka Bratušek (SAB), duke u bërë një nga nënkryetarët e saj.
Pas performancës së dobët të SAB-it në zgjedhjet e mëvonshme të vitit 2014, duke fituar vetëm katër mandate, ai u largua nga politika në nivel kombëtar, duke mbetur aktiv vetëm në nivel lokal në komunën e Nova Goricës; ai kryesoi asamblenë e lagjes së Kromberk-Loke midis 2010 dhe 2014, duke mbetur një nga anëtarët e saj deri në vitin 2022.
Biznesi dhe karriera e Golobit
Golob ka diplomuar më 1989 në Universitetin e Lubjanës si inxhinier i elektroteknikës, pastaj doktoroi dhe fitoi një bursë Fulbright si docent në Georgia Institute of Technology në SHBA.
Golob u lind më 1967 në Shempeter pri Gorici në kufi me Italinë.
Kur mandati i tij si kryetar i GEN-I, ndërmarrje e shtrirë nëpër Ballkan, përfundoi në 2021 dhe pasi nuk mori një tjetër, Golob vendosi të merrte sërish një rol aktiv në politikë.
Në janar 2022, ai mori përsipër Partinë e vogël jashtëparlamentare të Veprimeve të Gjelbërta dhe e quajti atë në Lëvizjen e Lirisë.
Më 24 prill 2022, në zgjedhjet parlamentare të Sllovenisë 2022, Lëvizja për Liri fitoi 41 vende në Asamblenë Kombëtare me 90 vende.
Kësisoj, më 25 maj 2022, Robert Golob u zgjodh nga parlamenti Kryeministër i Republikës së Sllovenisë.