Parisi mbahet si qyteti me ushqimin më të mirë, artin më të bukur dhe modën mbresëlënëse në Evropë dhe botë.
Por së fundmi Parisi është cilësuar si qyteti më i fuqishëm në botë për turizmin.
Indeksi nga Këshilli Botëror i Udhëtimit dhe Turizmit (WTTC) thotë se “Parisi është qyteti më i fuqishëm në botë për turizmin.”.
Organi jofitimprurës i industrisë së udhëtimit me bazë në Mbretërinë e Bashkuar analizoi të dhënat e turizmit nga viti 2022 për të parë se ku po shpenzonin më shumë para turistët.
Në këtë analizë nuk u morën parasysh vetëm biletat për në muze dhe dhomat e hoteleve, por një faktor tjetër ishte edhe investimi i qeverisë dhe bizneseve vendore e kombëtare në këto qytete turistike.
Për shembull Parisi po përgatitet që të mirëpresë edhe Lojërat Olimpike Verore 2024.
Ndonëse më pak se 5% e objekteve do të ndërtohen posaçërisht për Lojërat, qyteti po investon në infrastrukturë, në sistemin e sigurisë dhe për masa të tjera që do të ndihmojnë për të pritur njerëz nga e gjithë bota.
Sipas kësaj analize, totali i përgjithshëm i turizmit të kryeqytetit francez arriti në 35.6 miliardë dollarë. /dritare.net/