Ish-përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në bisedimet për statusin e Kosovës, Stefan Lehne, nuk beson se plani i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, do t’iu jepte fund mosmarrëveshjeve mes tyre.
Palët e paraqesin atë plan si “imponim nga jashtë” dhe nuk ka gjasa të jenë konstruktive në zbatimin e tij, thotë Lehne në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Për më tepër, shton ai, plani nuk e përfshin njohjen e plotë të Kosovës nga Serbia dhe kjo do t’i dekurajojë edhe vendet e tjera që nuk e njohin pavarësinë e saj.
“Edhe nëse Serbia do të ishte e gatshme ta pranonte anëtarësimin e Kosovës në OKB, kjo nuk do të ndodhte, sepse Rusia nuk do ta lejonte”, shton Lehne, tani analist në Institutin Carnegie Europe.
Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ai thotë se ky asociacion “nuk do të sillte mrekulli” në raportet Kosovë-Serbi, por do ta zhbllokonte procesin e integrimit evropian të të dyja vendeve.