Ndonëse rastet e lëndimeve në vendet e punës janë mjaft të shpeshta, kushtet nëpër kompanitë private po vazhdojnë të jenë të këqija, e ku prej të cilave po pësojnë më së shumti punëtorët.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe sot në Ferizaj, ku janë lënduar dy punëtorë të një kompanie që po kryente punime në kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ferizaj.
Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për punëtorët e kompanisë “Engineering”, të cilët kanë pësuar lëndime trupore teksa po punonin në kazermë.
Siç mëson Sinjali dy punëtorët, njëri 29 e tjetri 63-vjeçar, janë dërguar në këtë qendër ku po marrin trajtimin mjekësor.
Lidhur me këtë rast, Sinjali mëson se tashmë hetimet kanë nisur nga Inspektorati si dhe nga Policia, ndërkohë që me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti “asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.