Në mungesë të të akuzuarit Nol Nushi, është shtyrë seanca e paraparë për të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku i njëjti po akuzohet se ka kryer veprat penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” dhe “Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, në protestën e 17 dhe 18 nëntorit 2015. Ndaj tij, gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim.
Në lidhje me mungesën e të akuzuarit Nushi, gjyqtarja Donika Shala-Abdyli tha se i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën nuk e ka arsyetuar, si dhe ndaj tij do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, edhe nga prokuroria nuk ishte prezent askush, për çka gjyqtarja tha se të njëjtit janë ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën nuk e kanë arsyetuar.
Në këto rrethana, në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e kësaj seance, e njëjta është shtyrë dhe e radhës pritet të mbahet më 7 shkurt 2023.
Nushi akuzohej edhe për veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, mirëpo gjyqtarja Donika Shala-Abdyli njoftoi se për të njëtën tashmë ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale,
Sipas aktakuzës së ngritur më 18 janar 2016, i akuzuari Nol Nushi ngarkohet se më 17 dhe 18 nëntor 2015, prej orës 12:00 deri rreth orës 20:00, ka marrë pjesë në turmën-protestën, e cila protestë ka eskaluar dhe përkundër faktit se forcat e rendit ishin rreshtuar dhe po mbanin situatën nën kontroll, Nushi si pjesëmarrës aktiv i protestës ka sulmuar seriozisht policët e Kosovës duke i goditur me gurë, kubëza betoni dhe mjete të tjera të forta.
Tutje, në aktakuzë thuhet se si pasojë e këtyre veprimeve, janë shkaktuar lëndime të rënda trupore si dhe dëme të mëdha materiale, si në pronën shoqërore edhe në prona private.
Me këtë, sipas prokurorisë, Nushi akuzohet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” nga neni 421, par.1, veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, nga neni 410, par.2 si dhe veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” nga neni 333, të Kodit Penal.