Në një deklaratë të përbashkët, vendet e QUINT-it kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të vazhdojnë dialogun dhe të vijnë në një marrëveshje përfundimtare e që nënkupton kompromis mes vendeve.
Në këtë letër ceket se Kosova duhet ta heqë taksen ndaj shtetit Serb dhe se vendet e BE janë të gatshme të ndihmojnë në këtë proces.
Ndaj kësaj deklarate kanë reaguar lidere të partive e analistë politik.
Kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj ka sqaruar rrethanat se përse ishte e nevojshme vendosja e taksës ndaj shtetit të Serbisë.
Ai ka shtuar se Kosova asnjëherë nuk ka qenë kundër dialogut, por se ky proces nuk duhet të jetë i kushtëzuar.
“Vendimi për vendosjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës ka qenë veprim i nevojshëm në shërbim të mbrojtjes së interesave të Kosovës nga veprimet armiqësore dhe kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë. Në të njëjtën kohë, gjithmonë kemi marrë në konsideratë sugjerimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë sa u përket temave politike në vend”, tha Haradinaj.
Kryetari i Partisë Demokratike Kadri Veseli tha se mirëpret ndihmën e shteteve Perendimore për dialogun mirëpo ka kërkuar nga BE-ja që të parandaloje tentimet serbe për destruktivitet në Kosovë.
“Megjithatë, ne kërkojmë nga BE që ta parandalojë financimin e strukturave paralele në Kosovë nga Qeveria e Serbisë, të ndalojë projektet kolonizuese serbe përmes ndërtimit të lagjeve në Veri, të lejohet rindërtimi i shtëpive të djegura atje ku shqiptarët jetonin para vitit 2001, si dhe të dënohen kriminelët dhe përdhunuesit serbë për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të pafajshëm gjatë dhe pas luftës në Kosovë”, shtoi ai.
Fatmire Mulhaxha Kollcaku nga Vetëvendosja tha se me ardhjen e kryeministrit të ri edhe vendoset për platformën e re të bisedimeve.
Mulhaxha Kollcaku thotë se fillimisht Sërbia duhet t i kërkojë falje Kosovës, të paguaj dëmet e luftës dhe të mos pengojë Kosovën në antarsimin në organizata ndërkombëtare. Në fund ajo tha se VV është falënderues ndaj shteteve të BE-së të cilat kontribuan në pavarsinë e Kosovës.