Live

LIBERALIZIMI – nesër mund të ndodhë një zhvillim i rëndësishëm në BE për lëvizjen e lirë të kosovarëve

10:33 / 29 Nëntor 2022

Nga Kosova Live

Nesër pritet të votohet propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili parasheh lëvizjen e lirë jo më larg se data 1 janar e vitit 2024.

Javën e kaluar përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së u pajtuan me propozimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.

Kjo datë ishte kërkesë e Spanjës – njërit prej pesë vendeve të BE-së që nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës.

Sipas propozimit të miratuar më 22 nëntor, “hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të nisë në kohën kur të jetë funksional sistemi i udhëtimit ETIAS, por jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024”.

Propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili parasheh lëvizjen e lirë jo më larg se data 1 janar e vitit 2024, u hoq nga agjenda e takimit të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, më 23 nëntor.

Arsyet për këtë ishin politike dhe lidheshin me situatën në veri të Kosovës.

“Për shkak të zhvillimeve politike në veri të Kosovës, ta kemi këtë pikë në agjendën e Coreper-it [trupi i ambasadorëve] nuk është ideale”, tha Presidenca çeke e BE-së në njoftimin për shtyrje, shkruan Gazeta Insajderi.

Tash, një javë më pas, kur edhe është arritur marrëveshja për targat, mbetet të shihet nëse kjo çështje do të votohet nesër, ashtu siç ka paraparë Presidenca çeke.

Sipas saj, diskutimi për këtë çështje, por edhe votimi ose jo do të mbahet më 30 nëntor.

Nëse propozimi për heqjen e vizave kalon nesër në rendin e ditës së Ambasadorët e BE-së, atëherë duhet të kalohen edhe disa procese të tjera.

Hapat që duhet të arrihen janë:

Mbajtja e takimit trepalësh ndërmjet Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian

Ambasadorët e BE-së miratojnë marrëveshjen e arritur nga tri institucionet

Parlamenti Evropian voton për liberalizimin e vizave

Ambasadorët e BE-së votojnë me shumicë të thjeshtë për liberalizimin e vizave

Këshilli i Ministrave të BE-së miraton me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave

Akti ligjor nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së: Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian

Vendimi publikohet në Gazetën Zyrtare, duke përfshirë datën e hyrjes në fuqi dhe

Liberalizimi hyn në fuqi.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë BE-së, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Shengen.

Kosova, ashtu si edhe Bosnje e Hercegovina, ka vetëm Marrëveshje Stabilizimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok. Mali i Zi, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërkaq, i kanë hapur negociatat për anëtarësim në BE.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...