Live

Liderët e BE-së i kërkojnë Kosovës ta themelojë Asociacionin

20:51 / 09 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Liderët e Bashkimit Evropian të enjten i kërkuan Kosovës dhe Serbisë që të bëjnë përparim drejt normalizimit të marrëdhënieve të tyre në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, duke insistuar në përmbushjen e marrëveshjeve të arritura deri më tani, përfshirë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Sipas konkluzioneve të liderëve evropianë pas një diskutimi të shkurtër në samitin e së enjtes, siç raporton “EuropaPress”, ka një “nevojë urgjente” që Prishtina dhe Beogradi të ndërpresin armiqësitë dhe të angazhohen për dialogun e ndërmjetësuar nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, për të marrë hapa drejt normalizimit të marrëdhënieve të tyre fqinjësore.

Ata u bëjnë thirrje të dyja palëve që të zbatojnë “plotësisht dhe pa kushte” obligimet e marra në kuadër të dialogut, duke përfshirë marrëveshjet për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilës Kosova deri më tani i ka rezistuar dhe që këtë javë kryeministri Albin Kurti e ka kushtëzuar formimin e tij me marrëveshjen e plotë me Serbinë.

Ndërkaq, krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së mirëpresin propozimin evropian për rinisjen e dialogut, duke këmbëngulur se është një “mundësi historike” që Prishtina dhe Beogradi duhet ta shfrytëzojnë “me synimin për të realizuar perspektivat e tyre evropiane”.

Para nisjes së samitit, kreu i diplomacisë evropiane tha se kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet që së shpejti të zhvillojnë një takim të radhës në Bruksel. 

Shpërndaje në

U Kopjua