Vitet ’90 kanë qenë vitet më vendimtare të shqiptarëve të Kosovës, ku do të vendosej një herë e mirë për fatin e tyre, pas shumë aktiviteteve e lëvizjeve me motive kombëtare.
Njëra nga ngjarjet që ka hyrë në histori ka qenë edhe protesta studentore në vitin 1997.
Në ato rrethana, studentëve u shkuan në përkrahje një grup personash nga Deçani, e që organizatori i tyre ishte Rasim Selmanaj.
Selmanaj me vete do të merrte edhe nënën Ajshe, nënën e vëllezërve Gërvalla, për t’u dhënë edhe një shtytje të fundit studentëve drejt realizimit të qëllimit të tyre.
Ky rol në atë kohë por edhe në këtë të sotit, është vlerësuar nga lideri i studentëve, Muhamet Mavraj i cili në emisionin “n’Demos” rrëfeu momentin e kësaj vizite që ai e quajti historike.
“Ka pas edhe momente kur ka ardh ndihma nga nuk e kemi prit, përshembull vizita jonë e parë tek ne, shumë e rëndësishme e inspiruese, ka qenë vizita e shoqërisë kulturo-artistike “Jusuf Gërvalla” të Deçanit, në krye me nënën Ajshe, pasi vizita e saj tek ne ka qenë si një vizitë e një shenjtoreje, dhe Kosova i ka borgj kësaj nëne. Ardhja e nënës Ajshe ka qenë tepër motivuese, unë dua të falënderoj shumë tërë stafin, kanë ardhur një autobus me njerëz për të na motivuar, na kanë sjellë portretin e Jusuf Gërvallës na kanë sjellë fjalë të mira, dua veçanarisht Rasim Selmanajn ta falenderoj shumë sepse ai ka qenë motorri i këtij organizimi, dhe deri sa të vdesë tek unë është një mbresë e fortë. Ka qenë me këmbë të mbarë nëna Ajshe, ka qenë diku gjashtë javë para protestës”, ka deklaruar Muhamet Mavraj.