Live

Ligji për çmimet tavan për barna përplas deputeten e PDK-së me ministrin Vitia

11:56 / 09 Mars 2023

Nga Kosova Live

Vendimi i Qeverisë Kurti për të caktuar çmimin tavan për barna ka ngjallur debat mes deputetes së PDK-së, Floretë Zejnullahu dhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, në seancën e Kuvendit të enjten.

Deputetja e opozitës ka pyetur ministrin se pse është vonuar Projektligji i cili rregullon çmimet e produkteve medicinale, i cili u miratua nga ekzekutivi në mbledhjen e së mërkurës.

Sipas saj, një projektligj i tillë është dorëzuar para një viti nga depuetët e PDK-së, por nuk ishte përkrahur nga mazhoranca vetëm pse ishte propozuar nga opozita.

“Në vitin 2019 kur Ministria e Shëndetësisë udhëhiqej nga PDK-ja është nënshkruar udhëzimi administrativ për rregullimin e çmimit të barnave i cili me ndërrimin e qeverive nuk është zbatuar dhe madje është shfuqizuar. PDK-ja edhe para një viti ka dorëzuar projektligjin për rregullimin e çmimit të produkteve medicinale, por nuk është përkrahur nga mazhoranca vetëm se ishte propozuar nga opozita”, ka thënë Zejnullahu.

“Pse nuk u mbështet ky projektligj deri më tani? Pse nuk u zbatua udhëzimi administrativ”, ka pyetur ajo.

Deklarimeve të saj i është përgjigjur ministri Vitia, duke thënë se ky ligj është dashur të bëhet shumë më herët sepse sipas tij, kështu kursehen me mijëra para nga xhepat e qytetarëve.

Ai tutje është shprehur se në Qeverinë e PAN-it nuk është proceduar asnjë ligj për Ministrinë e Shëndetësisë.

“Dje ishte një lajm i mirë për Kosovën. U bë më në fund ligji për çmimin e barnave. Këtij ligji duhet t’i gëzohet secili qytetar. Kisha pas qejf që ky ligj të bëhet më herët, por fatkeqësisht nuk është bërë”, ka thënë Vitia.

“Nuk është bërë me herët sepse në Qeverinë e PAN-it asnjë ligj për ministrinë e Shëndetësisë nuk është proceduar. Unë edhe atëherë kam thënë me udhëzim administrativ nuk zgjidhjet kjo çështje. Zgjidhet vetëm me ligj”, ka përfunduar ai.

Shpërndaje në

U Kopjua