Live

Lirohen kosovarët që u bllokuan mbi 13 orë nga autoritetet serbe në kufirin me Kroacinë

15:50 / 17 Prill 2024

Nga Kosova Live

Janë liruar qytetarët nga Kosova të cilët për më shumë se 13 orë u bllokuan nga autoritetet serbe në kufirin me Kroacinë, shkruan Reporteri.net.

Ndalimi dhe bllokimi i më shumë se 300 kosovarëve, erdhi pasi Kosova ditën e djeshme kaloi edhe hapin e dytë drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës.

Lidhur me bllokimin e qytetarëve në pikat kufitare me Serbinë, reagoi në orët e para të mëngjesit Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, e cila i bëri thirrje qyetatarëve që mos të kalojnë nga Serbia. Poashtu në njoftimin e kësaj Ministrie u tha se qytetarëve u janë marrë dokumentetet personale, poashtu edhe autobusëve, si dhe po merren në pyetje nga autoritetet serbe.

Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar hakmarrje të Serbisë për votimin në Asamble të Këshillit të Evropës, ndalimin e shtetasve të Kosovës në pikëkalimet kufitare të Serbisë.

Kjo tha Kurti është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Një ditë pas votimit në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, Serbia hakmerret ndaj civilëve kosovarë. Që nga mëngjesi i sotëm, mbi 300 shtetas tanë – përfshirë fëmijë – janë ndaluar arbitrarisht në kufij, janë privuar nga ushqimi dhe medikamentet. Shkelje flagrante e të drejtave të njeriut”, ka shkruar Kurti.

Për bllokimin e qytetarëve të Kosovës, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi njoftoi edhe emisarin evropian, Miroslav Lajçak. Ai tha se kjo është përgjigja dhe hipokrizia e Serbisë ndaj respektimit të të drejtave të njeriut që vjen nga një vend që aktualisht është anëtar i KiE.

Bislimi thotë se akti i tillë dëshmon rënien demokratike dhe politikën e vazhdueshme të agresionit.

“Për situatën e kam njoftuar edhe z. Lajçak. Kjo është përgjigja dhe hipokrizia e Serbisë ndaj respektimit të të drejtave të njeriut që vjen nga një vend që aktualisht është anëtar i KiE. Një akt i tillë dëshmon edhe një herë rënien demokratike dhe politikën e vazhdueshme të tyre të agresionit. Ata flasin për të drejtat e njeriut, por po i pastrojnë etnikisht shqiptarët me mjete administrative në Luginën e Preshevës, i bllokojnë qytetarët në kufi për shkak të përkatësisë së tyre etnike dhe politikani opozitar Nikola Sanduloviq rrihet dhe ndiqet penalisht për shprehjen e pikëpamjeve të veta. Kosova është një vend i pavarur, sovran dhe demokratik. Ne nuk do të tërhiqemi kundër veprimeve ngacmuese nga Serbia, e cila po dëshmon edhe një herë se nuk është e përkushtuar ndaj marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe normalizimit. Siç tha Vulin: Serbia nuk bën pjesë në KiE as BE”, ka shkruar Bislimi në “X”.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë e ka cilësuar shkelje të marrëveshjes për normalizim këtë veprim nga Serbia.

Në një reagim të saj, OEAK i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të kërkojë fuqishëm nga autoritetet serbe heqjen e menjëhershme të bllokadës dhe lejimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke mundësuar lëvizjen e tyre për në destinacionet e dëshiruara.

Shpërndaje në

U Kopjua