Live

“Lista Serbe mund të nisë tensione të reja për t’i penguar zgjedhjet në veri”

13:40 / 30 Mars 2023

Nga Kosova Live

Lista Serbe e ka justifikuar vendimin për mospjesëmarrje në zgjedhje me arsyetimin se ka pasur “dhunë të vazhdueshme institucionale të ushtruar ndaj popullit serb nga regjimi i Albin Kurtit, duke privuar serbët nga të gjitha të drejtat”.

Megjithëse faktori ndërkombëtar kërkon që këto zgjedhje të mbahen dhe palët të shmangin dhunën, eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë se mund të ketë tensione të reja në veri të vendit.

Ai ka vlerësuar se është pikërisht Lista Serbe ajo e cila mund t’i aktivizojë ekstremistët e saj në mënyrë që t’i pengojë zgjedhjet e lira dhe demokratike.

“Derisa nuk e merr një epilog kjo marrëveshja në Ohër dhe problemi që Lista Serbe nuk e shfrytëzoi rastin të aplikojë përmes KQZ-së në këtë afatin plotësues, mendoj që kjo mund të sjell tensione apo eventualisht një mundësi të një prolongimi të afatit të zgjedhjeve”.

“Çështja tjetër është që nga aspekti i sigurisë – Lista Serbe mund t’i ngritë ekstremistët në veri duke krijuar tensione të reja”.

“Edhe vendosja e barrikadave nuk përjashtohet, por çështja që mund te jetë kryesore është pengimi në zhvillimin e zgjedhjeve të lira. Ajo kërkesa e QUINT-it për zgjedhje demokratike mund të pengohet nga Lista Serbe”.

Ai shton se presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti duhet të jenë konsisentë në zbatimin e të gjitha procedurave që këto zgjedhje të mbahen edhe kur dihet se Lista Serbe qëllimisht e ka humbur mundësinë që të jetë pjesë e këtij procesi.

“Natyrisht se Lista Serbe i ndërlidh këto zgjedhje me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe kjo ka qenë një prej kërkesave. Për çdo presion në veri, ata si pretekst e kanë përdoruar asociacionin. Por unë mendoj që kjo çështje nuk ndërlidhet me asociacion sepse kjo ka të bëje me katër komunat në veri dhe e jo për dhjetë komunat me shumicë serbe”.

Megjithatë, ai vlerëson se Policia e Kosovës i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për ta mbajtur rendin dhe qetësinë publike./Klan Kosova/

Shpërndaje në

U Kopjua