Nga tymi i duhanit që përshkonte hapësirën rreth 60 metra katrorë të një lokali në Prishtinë, nuk arrin të shohësh qartë fytyrat e njerëzve, të cilët po pinin kafenë e mëngjesit.
Të papenguar pothuajse nga askush shumë prej tyre tymosnin duhan, ndonëse një gjë e tillë është e ndaluar me Ligjin kundër duhanit.
Taketuket e vendosura në secilën tavolinë të lokalit janë të mbushura me bishta të cigareve.
Një pamje e tillë është pothuajse në të gjitha lokalet e gastronomisë ku qytetarët qëndrojnë aty për të pirë një kafe apo për të konsumuar ushqim.
“Unë jam duhanpirës dhe në rastet kur në lokal na është shërbyer taketukja e duhanit, atëherë kam tymosur duhan. Nëse nuk ka taketuke duhani, e pyes kamerierin dhe nëse e marr dritën e gjelbër, e pi”, thotë një qytetar nga Prishtina, i cili nuk dëshiron të identifikohet.
Ligji kundër duhanit, i cili ka hyrë në fuqi një dekadë më parë, ndalon pirjen e duhanit në hapësira publike – ku përfshihen lokalet hoteliere dhe shërbyese, hapësirat e punës, mjetet e transportit publik e vende të tjera.
Pirja e duhanit në këto lokale po theksohet si shqetësim i madh për disa joduhanpirës.
“Më pengon… Në këtë pikë mendoj se edhe unë e konsumoj derisa qëndroj aty”, thotë Lumi një student nga Prishtina.
“E kam të pamundur t’i iki kësaj pasi gjithkund pihet[duhani]. Ndoshta janë dy a tri lokale në Prishtinë ku nuk konsumohet duhani”, shton ai.
Idriz Sahiti, rreth të 50-tave, i cili ka qenë duhanpirës për 20 vjet, por tani nuk pi duhan, thotë se pothuajse në të gjitha lokalet që frekuenton, tymoset duhan.
“Më pengon gjatë rrugës kur eci, e lëre më në lokal. Problemi këtu është te klientët pasi që pronarët nuk dëshirojnë të vendosin rregulla se frikësohen që ikin klientët. Ne vetë duhet të jemi të vetëdijesuar të mos tymosim duhan në ambiente të mbyllura”, thotë ai.
Disa pronarë të lokaleve, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, nuk kanë dashur të prononcohen lidhur me mosrespektimin e Ligjit kundër duhanit.
Sipas Ligjit kundër duhanit, nëse tymoset duhan në hapësirat ku është e ndaluar me ligj, për subjektet afariste gjoba është nga njëmijë deri në tre mijë euro, derisa për personin fizik 30 deri në 50 euro.
Arian Vranica, nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Ligji kundër duhanit nuk ka gjetur zbatim për shkak të “standardeve të dyfishta që janë krijuar nga inspektorë të caktuar”.
Sipas tij, disa biznese kanë arritur të bëjnë marrëveshje me inspektorë të caktuar dhe ua kanë lejuar pirjen e duhanit brenda lokalit.
“Kjo situatë ka krijuar pakënaqësi te bizneset tjera dhe ligji pastaj nuk është respektuar”, shton Vranica.
Shoqata e Gastronomëve, sipas Vranicës, është duke punuar me komunat për një respektim të Ligjit kundër duhanit, por, fillimisht siç shprehet ai, “duhet të eliminohen rastet që krijojnë konkurrencë të padrejtë”.
Por, në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë thonë se ka mungesë të inspektorëve për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit kundër duhanit.
Drejtori ekzekutiv në këtë agjenci, Flamur Kadriu, thotë për Radion Evropa e Lirë se në vitin 2022 janë bërë 1.153 kontrolle të lokaleve të sektorit të gastronomisë dhe janë shqiptuar 52 fletëparaqitje për persona juridikë dhe 18 për persona fizikë.
“Janë vetëm 57 inspektorë sanitarë që merren me mbikëqyrjen e [zbatimit të] Ligjit kundër duhanit, por ata inspektorë kanë edhe kontrollin e ushqimit dhe shumë obligime tjera. Ne nuk kemi inspektorë të mjaftueshëm”, thotë Kadriu.
Për këtë vit, numri i inspektorëve, siç thotë Kadriu, është paraparë të rritet vetëm edhe për shtatë sosh, jo më shumë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë(OBSH), duhani vret më shumë se 8 milionë njerëz çdo vit.
Më shumë se 7 milionë nga këto vdekje, sipas OBSH-së, janë rezultat i përdorimit të drejtpërdrejtë të duhanit, ndërsa rreth 1.2 milion janë persona joduhanpirës, por kanë qenë të ekspozuar ndaj tij.
Drejtori i Klinikës së Pulmologjisë, Musa Hoxha, thotë për Radion Evropa e Lirë se shkaktari kryesor i shfaqjes së sëmundjes së mushkërive vjen nga tymosja e duhanit.
Brenda vitit, thotë Hoxha, janë mbi dy mijë pacientë që hospitalizohen në Klinikën e Pulmologjisë.
Të rrezikuar nga sëmundjet e mushkërive, shton ai, janë edhe persona të cilët ekspozohen në ambientet ku tymoset duhan.
“Shkaktari kryesor i kancerit të mushkërive është duhani. Nga të gjitha rastet me kancer të mushkërive, p.sh. nga 10 pacientë, nëntë prej tyre janë duhanpirës një jo duhanpirës”, thotë Hoxha.
Në Kosovë, sipas një hulumtimi të bërë në vitin 2020 nga Qendra për Zhvillim dhe Avokim (KADC), mbi 80 për qind e qytetarëve ekspozohen ndaj tymit të duhanit në bare, kafene dhe restorante.
Derisa në vendin e punës, ekspozimi ndaj tymit të duhanit është 27 për qind dhe në shtëpi mbi 30 për qind.
Shkumbin Spahija nga kjo organizatë, thotë për Radion Evropa e Lirë se vështirësitë në zbatimin e Ligjit për kontrollin e duhanit qëndrojnë te mungesa e vullnetit politik dhe neglizhenca ndaj zbatimit të këtij ligji nga ana e Qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse.
“Mungesa e inspektimeve nga ana e inspektorateve kompetente ka bërë që zbatimi i këtij ligji të mbetet në vullnetin e pronarëve të lokaleve të gastronomisë, duke degraduar në tërësi nivelin e respektimit të Ligjit kundër duhanit”, thotë Spahija.
Ai shton se nga puna që ata kanë bërë në këtë fushë, kanë vërejtur se qytetarët nuk janë sa duhet të vetëdijshëm për rreziqet dhe varësinë që e shkakton duhani.
“Është shumë e rëndësishme vendosja e fotografive dekurajuese në pakot e cigareve pasi që hulumtimet në shtetet tjera kanë treguar se këto ndikojnë në parandalimin e të rinjve për të filluar me konsumimin e duhanit dhe te duhanpirësit për lënien e duhanit”, thotë ai.
Sipas KADC-së, Kosova është në fazën e fundit të përpilimit të një rregulloreje për vendosjen e vërejtjeve shëndetësore me fotografi.
Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë për të marrë më shumë informacione lidhur me Ligjin kundër duhanit dhe masat që po merren nga kjo ministri, por, deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë përgjigje.
Sipas hulumtimit të Qendrës për Zhvillim dhe Avokim (KADC), 37.7 për qind e kosovarëve mbi moshën 18-vjeçare janë duhanpirës të rregullt. Ndërsa 11.5 për qind e popullatës pinë duhan herë pas here.
Në mesin e duhanpirësve që rregullisht pinë duhan, sipas këtij hulumtimi, 45.8 për qind janë meshkuj dhe 29.9 për qind janë femra.
Në vitin 2022 sipas zëdhënësit të Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, janë importuar mbi 4 mijë tonë duhan në vlerë prej mbi 100 milionë eurosh.
Krahasuar me vitin e kaluar, sipas tij, ka rritje për 14 për qind të vlerës së importuar të duhanit.