Vetëm 28 për qind e të punësuarve në institucionet publike të Luginës në Preshevës janë shqiptarë. Kështu tregon rezultati i hulumtimit “Fakte në numra” të Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Kryetari në detyrë i këtij këshilli, Ragmi Mustafi, ka thënë se Lugina mbetet rajoni me pagën mesatare rreth tri herë më të ulët se Beogradi e me nivel të papunësisë mbi 60 për qind.
“Centralizimi i institucioneve me një diskurs albanofobik ka dezintegruar Luginën dhe ka agravuar segregacionin. Sot kemi më pak gjykata e gjykatës në Luginë seç kishim para një dekade. Më (as)pak prokuror, më pak polic, më (as)pak zjarrfikës, më (as)pak inspektor republikan e shumë institucione nuk kanë asnjë shqiptar të përfshirë (kadastra, etj)”, ka shkruar ai në ‘Facebook’.
Në Luginën e Preshevës, siç ka shkruar Mustafi, shqiptarët përfaqësohen në institucione ndërmarrje publike me 28 për qind.
“Ndryshe, në institucione dhe ndërmarrje publike të Komunës së Medvegjës punojnë 6% shqiptar, apo nga 538 janë 32 shqiptarë. Në komunën e Bujanocit, punojnë 35% shqiptar, apo nga 2011 janë 695 shqiptarë. Në komunën e Preshevës në institucione dhe nderrmarje publike punojnë 66% apo nga 1205 janë 801 shqiptarë”, përfundon postimin Mustafi.