Lulëkuqja me katër penale pritet që shumë shpejt të marrë vulën institucionale për simbol të gjenocidit në Kosovë.
Kryetari i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur”, Bardhyl Mahmuti tregon se tashmë 14 komuna e kanë miratuar këtë simbol.
Vrasje, dhunim seksual, spastrim etnik dhe shkatërrim të objekteve që lidhen me përkatësinë etnike dhe identitetin shqiptar, janë katër petalet e lulëkuqes që paraqesin format e akteve gjenocidale. Ndërkaq e zeza në qendër paraqet fëmijët, pleqtë, gratë dhe burrat.
Bardhyl Mahmuti thotë gjenocidi nuk falet e as harrohet dhe se është e domosdoshme që familjarët të gëzojnë drejtësinë.
“Çështja e krimit të gjenocidit që ndodhi në Reçak më 15 janar 1999 mobilizoi diplomacinë ndërkombëtare, sidomos ato qarqe që kanë pasur peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare që çështjen e Kosovës ta vënë në rend të ditës. Të gjejnë një zgjidhje për të përfunduar politikën e gjenocidit që zbatonte Serbia ndaj shqiptarëve. Një rol jashtëzakonisht të madh në ndërkombëtarizimin mediatik të gjenocidit në Reçak ka pasur përgjegjësi i vëzhguesve ndërkombëtarë që ishin në atë kohë, i cili ishte William Walker”, tregon ai.
Ai shton se 15 janari është ditë e përkujtimit të çdo krimi që ka kryer Serbia në Kosovë, për çka shqiptarët po jetojnë me dhimbje.
“Të gjitha krimet e gjenocidit që janë bërë anekënd Kosovës, para 15 janarit dhe ato që vijojnë pas 15 janarit, janë krime që na dhembin në shpirt. Secili ka njeri ka dhimbjen e madhe për të gjitha krimet dhe nuk ka peshore, cili krim është më i madh apo më i vogël. Çështja për çfarë arsyeje Kuvendi i Kosovës vendos që 15 janari të jetë ditë e kujtimit të gjenocidit, është pikërisht roli dhe efekti i madh që ka pasur në skenën ndërkombëtare, sepse falë këtij mediatizimi ndërkombëtar kemi ndërhyrjen dhe përfundimin e politikës së gjenocidit në Kosovë. Për ne, 15 janari është pikërisht ajo ditë e dhimbjes së madhe”, shton ai.
Kryetari i qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur” flet edhe për iniciativën e simbolit të gjenocidit në Kosovë, ku tregon katër format e gjenocidit të paraqitura në petalet e lulëkuqes.
“Ky gjenocid duhet të ketë edhe aspektin simbolik. Ne kemi përzgjedh një simbol me katër petale, është një krijim artistik i Adnan Asllanit i cili jo rastësisht nxjerrë lulëkuqen me katër petale, sepse katër petalet kanë një domethënie jashtëzakonisht të madh. Nuk është vetëm rastësi të dallohen në petale nga forma e lulëkuqes që kanë përdorur popujt e ndryshëm të vendeve demokratike. Prej Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë, Skocia, Zelanda e Re e deri te Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto katër petale të simbolit që kemi propozuar ne, paraqesin katër format e gjenocidit: vrasjet qofshin të burrave, grave, fëmijëve, të gjitha vrasjet hyjnë në njërën petale. Çështja e dytë është e dhunës seksuale që hyn në kuadër të përkufizimit të gjenocidit me normat e të drejtës penale ndërkombëtare. Forma e tretë është spastrimi etnik që çdo shqiptar që është dëbuar prej Kosovës e sheh vetin si një të mbijetuar. Forma e katërt është shkatërrimi i çdo gjëje që lidhet me identitetin etnik, kulturor të shqiptarëve”, deklaron Mahmuti.
Më tej, tregon se ka mbështetje të madhe nga shumë personalitete brenda dhe jashtë vendit që ky simbol të ketë vulën institucionale.
“Kemi informacione se së shpejti do të dalin edhe forca tjera politike dhe kjo çështje do të iniciohet edhe në Kuvendin e Kosovës, që të përmbyllet dhe të kemi një simbol që vërtetë do të identifikojë çështjen e gjenocidit në Kosovë… Në shumicat e komunave shqiptare në Kosovë, që kanë pasur mundësi ta vënë në rend të ditës këtë çështje, 14 komuna më të madha të Kosovës e kanë miratuar në mënyrë unanime”, përfundon Mahmuti.
Për shënimin e Ditës së gjenocidit në Kosovë, sonte në orën 19:30 do të ndizen qirinj në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Po ashtu edhe në qytete të tjera do të organizohet ndezja e qirinjve