As pas 11 muajve, Blerim Isufaj nuk ka marrë “aminin” që i duhet për t’u emëruar Kryeprokuror i ri i Shtetit.
Çështja e kryeprokurorit të shtetit ka mbetur në sirtarët e Presidencës së Kosovës. Presidentja Vjosa Osmani nuk e ka dekretuar atë për këtë pozitë dhe nuk ka në plan ta bëjë këtë pa u shterur të gjitha procedurat gjyqësore.
Për këtë çështje ka folur Ish-kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili thotë se prokuroria nuk ka kohë të presë më.
“Prokuroria e Shtetit nuk ka kohë për të pritur, për disa ditë do të bëhet një vit që është dërguar propozimi nga KPK tek Presidentja e shtetit për dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe ende nuk e kemi finalizimin e këtij procesi”, thotë Lumezi.
Lumezi kërkon nga Presidentja Osmani që të respektohet vlerësimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, duke u dekretuar kandidatin që e kanë propozuar këta të fundit.
“Propozimi i KPK-së i cili është i vetmi vlerësuesi dhe matës i integritetit dhe profesionalizmit të kandidatit të propozuar duhet të respektohet nga Presidentja dhe sa më parë pas përfundimit të procedurave gjyqësore është dashur të emërohet Kryeprokurori i ri i Shtetit, duke i respektuar kompetencat Kushtetuese për të siguruar funksionimin harmonik të organit të akuzës, i cili është institucion i pavarur me autoritet dhe përgjegjësi për ndjekjen penale të personave të dyshuar për kryerjen e ndonjë vepre penale”, tha ish kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi.
Lumezi për Front Online u shpreh optimist se presidentja e vendit do t’i shërbejë drejtësisë.
“Besoj që Presidentja e Republikës do t’i shërbej drejtësisë dhe ndërtimit të një sistemi prokurorial të drejtë dhe të pavarur”, deklaroi Lumezi.
Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte votuar unanimisht për Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit. Isufaj ka marrë votat absolute të 11 anëtareve të KPK-së.
Por votimi i tij në krye të prokurorisë po kundërshtohet nga ambasadorët e huaj në Kosovë dhe organizata vendore.
Kjo sepse sipas tyre janë shpërfillur parimet për një proces të drejtë dhe meritor.
Kujtojmë se, konkursi për emërimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit ishte shpallur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës më 12 janar 2022, kjo pasi Aleksandër Lumezit i përfundoi mandati më 21 prill 2022.