Një hap i rëndësishëm përpara dhe një sinjal shprese për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kështu e ka cilësuar samitin e mbajtur të martën në Tiranë, kancelari gjerman Olaf Scholz. Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, teksa largohet nga kryeqyteti shqiptar lideri gjerman përsërit mesazhin se shtetet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e familjes europiane.
”Gati 20 vite më parë, BE-ja i tregoi Ballkanit Perëndimor Perspektivën e anëtarësimit. Por në atë kohë, nuk avancuam aq sa do të do të kishim dashur. Prandaj është e rëndësishme që procesi i zgjerimit fiton tani impuls të ri”, deklaroi ai.
Në mesazhin e tij, që pason një sërë postimesh me pamje të Tiranës nga lart e po ashtu të punimeve të samitit, numri një i Berlinit shton se kanë pritshmëri të qarta nga vendet e Ballkanit perëndimor.
“Për shembull, presim që vendet të cilat aspirojnë anëtarësimin t’i bashkohen sanksioneve të BE-së kundër Rusisë”, thotë Scholz.
Sakaq, presidenti francez, Emanuel Macron, i njohur për qëndrimet skeptike ndaj zgjerimit, deklaroi në një postim pas samitit se Ballkani Perëndimor do ta bëjë Europën më të fortë.
“Kur Rusia zgjedh luftën, Ballkani Perëndimor mbetet i vendosur për t’iu bashkuar familjes Europiane dhe asaj që nënkupton kjo në termat e demokracisë dhe respektit për ligjin ndërkombëtar. Kjo do ta bëjë Europën më të fuqishme. Ne do ta shoqërojmë në këtë rrugë”, ishin fjalët e tij.
Për Macron kjo ishte vizita e parë në Shqipëria që prej ardhjes në krye të Elizesë. Ndërsa mundësia e një zgjerimi të afërt të BE-së në Ballkanin Perëndimor vlerësohet ende e largët, Macron dhe Scholz, liderët e 2 vendeve më të fuqishme të bllokut folën me tone më pozitive e shpresëdhënëse lidhur me procesin, duke sinjalizuar një përkushtim të shtuar të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor