Live

Martin Berishaj: “Oh my god”, kam dëgjuar se më kanë quajtur sekser

13:00 / 17 Nëntor 2022

Nga admin

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, gjatë raportimit në Komisionin Hetimor për Energjinë në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se MB Consulting është një firmë të cilën e ka formuar unë në vitin 2017 në Mal të Zi dhe nuk funksionon nga viti 2020.

“Nuk rezulton si ndërmarrje e cila qarkullon. Nuk është e mbyllur fizikisht akoma se procedura është e tillë. Unë kurrë jam bërë ambasador nuk më ka ra ndërmend me u marr me atë problem, mbasi këto janë të kapshëm, shihet në internet”, tha Berishaj.

Gjatë raportimit ai ka treguar se si është ndjer kur ka dëgjuar se e kanë quajtur sekser, pasi kishte dalur lajmi se ai është i përfshirë në një skandal qindra-mijëra eurosh.

“Kam dëgjuar edhe një fjalë që më kanë quajtur ‘sekser’. Sigurisht nuk është shqip. ‘Oh My God’”, pohoi para anëtarëve të Komisionit Parlamentar që po heton çfarë ka ndodhur me shit-blerjen e energjisë elektrike.

Ai ka pranuar po ashtu se është paguar si Këshilltar nga Kompania GEN-I, që është kompani sllovene.

Gjithashtu ka pranuar se për Ballkan përfaqësia e asaj kompanie është në Beograd.

“GEN-I ka dikund 18 filiale, për Ballkan ka qenë e përcaktuar në Beograd. Çdo marrëveshje kontraktuale që është bë në firmë është bërë në mënyrë transparente dhe ajo mund të shikohet. Konsultimi ka qenë kështu: kompania GEN-I është një nga kompanitë më prestigjioze në Evropë për energji dhe ajo kompani ka marrë njerëz si këshilltar natyrisht. Unë kam informacione për Ballkan dhe kam mundur t’iu jap informacione se si shkojnë gjërat, nëse ata kanë interes”.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, e ka pranuar se ka qenë këshilltar i kompanisë energjetike “GEN”.

Por thotë se nga viti 2019 nuk ka bashkëpunim më me ta.

“Unë kam qenë aty si këshilltar. Unë kam dhënë këshilla politike se çfarë do të duhej të bëjë një firmë”, ka thënë ai në Komisionin Parlamentar për hetimin e menaxhimit të krizës energjetike.

Por Berishaj mohon të i ketë pranuar 600 mijë euro nga kjo kompani.

Ai tha se GEN është kompani sllovene dhe vepron në 25 shtete.

Shpërndaje në

U Kopjua