Live

Mbahen intervistat për Drejtor të Policisë: Ky është kandidati më i vlerësuar nga britanikët

12:03 / 08 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Që nga shtatori Policia e Kosovës po udhëheqet nga një ushtrues detyre i drejtorit që është Fehmi Hoti. Megjithatë, pas 5 muajsh duket se procesi i përzgjedhjet së drejtorit po shkon drejt fundit.

Gazeta Nacionale nga burimet e afërta me zhvillimet ka mësuar se gjatë kësaj jave janë mbajtur intervistat e kandidatëve për drejtor të Policisë së Kosovës. Intervistat më saktësisht janë zhvilluar më datë 6 dhe 7 shkurt.

Nga këto intervista, Ambasada e Britanisë në Kosovë e cila ka vlerësuar procesin, e ka përzgjedhur të vetmin kandidat për t’u zgjedhur Gazmend Hoxhën. Hoxha që aktualisht është Drejtor i Departamentit për Operacione në Policinë e Kosovës, është vlerësuar me 27.5 pikë nga britanikët, nga 40 në total.

Asnjë kandidat tjetër sipas vlerësimit të britanikëve nuk është i denjë për t’u bërë Drejtor i Policisë së Kosovës.

Komisioni vlerësues përbëhej nga: Fahrije Tërnava (kryesuese) dhe Naim Bardiqi, Blerim Hasani, Refike Sulçevsi dhe Skënder Perteshi, anëtarë.

Këto janë profilet e të gjithë kandidatëve për drejtor të Policisë:

Gazmend Hoxha

Nëse dëgjohet rekomandimi i britanikëve, Gazmend Hoxha do të duhej të zgjidhet drejtor i Policisë së Kosovës. Megjithatë, jo rrallë vlerësimet e Ambasadës së Britanisë në Kosovë nuk janë marrë parasysh.

Hoxha nga britanikët është vlerësuar me 27.5 pikë nga 40 në total, dhe është i vetmi kandidat që duhet të emërohet sipas vlerësimit të ambasadës.

Gazmend Hoxha ka një karrierë të gjatë në Policinë e Kosovës. Ai punën në Policinë e Kosovës e ka nisur në vitin 2000, kurse dy vjet më pas kaloi në gradën rreshter në stacionin Jugu të Prishtinës.

Hoxha në vitin 2009 kishte qenë edhe drejtor i Njësive Speciale, kurse në vitet 2010-2011 u emëruar Drejtor kundër Krimit të Organizuar. Në vitin 2012 u emëruar Drejtor i Policisë në Ferizaj.

Aktualisht Gazmend Hoxha është drejtor i Departamentit për Operacione në Policinë e Kosovës.

Bahri Shala

Kandidat për drejtor të Policisë së Kosovës ka qenë edhe Bahri Shala, i cili karrierën në Policinë e Kosovës e ka nisur në vitin 2002.

Që nga viti 2010 deri në vitin 2021, pra për 11 vjet Bahri Shala ishte emëruar si Drejtor i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik.

Në vitet 2006-2007 Shala ishte edhe Shef i qendrës së komunikimit në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prishtinë. Nga viti 2007 deri në vitin 2009, Shala u pozicionua si Shef i sektorit qendror për hetimin e narkotikëve në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar. Më pas u emërua si zëvendës drejtor i Drejtorisë kundër krimit të organizuar.

Ai aktualisht udhëheq me Drejtorinë Teknike të Kriminalistës.

Fatos Haziri

Në garën për drejtor të Policisë së Kosovës ka qenë edhe Fatos Haziri. Ky i fundit aktualisht është Drejtor i Drejtorisë për Mbështetje, Trajnime të Specializuara dhe të Avancuara në kuadër të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.

Karriera e tij në Policinë e Kosovës ishte e gjatë. Në vitin 2002 ai punoi në zyrën për zhvillim profesional të Shërbimit Policor në atë kohë.

Në vitin 2004, Haziri punoi në zyrën për planifikim të operativës, komandën kryesore të policisë në Prishtinë ndërsa po atë vit u gradua në gradën e togerit.

Në vitin 2009 është emëruar si zëvendësdrejtor i drejtorisë rajonale të policisë në Prishtinë.

Granit Fetahu

Fetahu aktualisht është në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë për Sigurim të Objekteve dhe Personaliteteve. Ai është në garën për Drejtor të Policisë, edhe pse nga britanikët nuk u vlerësua ashtu sikur të tjerët, përve Gazmend Hoxhës.

Fetahu nga viti 2002 është i angazhuar në Policinë e Kosovës.

Në vitin 2010 ishte caktuar si zyrtar për zyrën ekzekutive të zëvendësdrejtorit të përgjithshëm për operativë.

Në mesin e kandidatëve është raportuar se ka qenë edhe serbja Sllogjana Stojanoviq. Ajo ishte e vetmja grua kandidate për Drejtore të Policisë së Kosovës.

Vendimi për përzgjedhjen e drejtorit të Policisë së Kosovës tashmë është në dorën e Qeverisë dhe kryeministrit Kurti.

Shpërndaje në

U Kopjua