Edhe pak ditë do të bëhen dy muaj nga zgjedhja e dy kryetarëve të partisë “Guxo”, Donika Gërvalla-Schwarz dhe Faton Pecit, themeluesit e të cilës janë pjesë e koalicionit qeverisës më Vetëvendosjen e kryeministrit Albin Kurti dhe ish-bashkëpartiakë të presidentes Vjosa Osmani.
Zgjedhja e dy kryetarëve të partisë Guxo, përveç që është parë si rasti i parë në historinë e partive politike në Kosovë, vendimi i konventës zgjedhore të 7 shtatorit ka ngritur edhe dilema nëse është në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet në Kosovë dhe rregulloret e zgjedhjeve të KQZ-së.
Institucioni që duhet të japë përgjigjen për këtë dilemë është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që monitoron kuvendet zgjedhore të partive politike, por as pas gati dy muajsh nuk kanë marrë asnjë vendim, shkruan Demokracia.com.
KQZ-ja do të mbajë mbledhje të mërkurën në mesditë, por sipas rendit të ditës të publikuar në medie, askund nuk është planifikuar të diskutohet për të gjeturat e Zyrës për Regjistrim të Partive Politike.
Deri më tani, rekomandimi i kësaj zyre ka rrjedhë në medie, por KQZ-ja ende nuk ka marrë vendim për këtë. Sipas këtij rekomandimi, nuk është e ligjshme që një parti politike t’i ketë dy kryetarë të partisë.