Live

Mblidhet Kryesia e Kuvendit, caktohet seanca e shpërbërjes së Legjislaturës VI

08:38 / 05 Gusht 2019

Nga Kosova Live

Sot pritet të mblidhet Kryesia e Kuvendit të Kosovës për të vendosur për seancën e shpërbërjes së Legjislaturës VI, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se mbledhja e sotme e Kryesisë së Kuvendit ka për qëllim të saktësojë në mënyrë zyrtare dhe institucionale qëndrimet e çdo grupi parlamentar në lidhje me situatën e krijuar pas rënies së Qeverisë së Kosovës, si dhe konkretizimin e hapave për përcaktimin sa më të shpejtë të datës së zgjedhjeve të parakohshme.

Ai ka theksuar se shteti nuk guxon të mbetet në vakum institucional dhe pa vendimmarrje legjitime. Veseli ka thënë se si kryetar i Kuvendit, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që vendi sa më shpejtë të zhvillojë zgjedhje të lira dhe demokratike.

Ndryshe, të premten u raportua se Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një shkrese zyrtare, kërkoi nga bartësi i koalicionit fitues (Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate ), i zgjedhjeve të fundit, Kadri Veseli, që të propozonin  një  kandidat të ri për ta mandatuar për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Kadri Veselit, i cili e njoftoi Presidentin se koalicioni PAN nuk kishte mandatar tjetër dhe se vendi duhet të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Shpërndaje në

U Kopjua