Live

Mbrojtja e Veselit prezanton dëshmitë e ndërkombëtarëve të angazhuar në Kosovë që mbronin luftën e pastër të UÇK-së

14:53 / 14 Mars 2023

Nga Kosova Live

Mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, në një parashtrim të procedurës paraprake, përpara fillimit të gjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka prezantuar dëshmi të të angazhuarve ndërkombëtarë që dëshmojnë se UÇK-ja nuk kishte synim popullatën civile.

Në parashtresën e mbrojtjes, përmendet dëshmia e ish-atasheut të pensionuar ushtarak të Mbretërisë së Bashkuar në Beograd, John Crosland, i cili u pranua nga Dhoma e Apelit, i cili e quajti “Shtabin e Përgjithshëm” si emërtim të gabuar, raporton Demokracia.com.

“Kështu, Dhoma Gjyqësore në gjykimin e parë të Haradinajt vërejti në aktgjykimin e saj se Shtabi i Përgjithshëm ishte “me zor i përfshirë” si term në Zonën e Dukagjinit dhe pranoi se gjatë vitit 1998 nuk kishte asnjë hierarki vertikale, sigurisht mbi nivelin e komandantit të zonës, por më tepër një strukturë komanduese horizontale brenda UÇK-së. Dhoma Gjyqësore në rastin e Haradinajt vuri në dukje dhe pranoi dëshminë e ekspertit të kolonelit John Crosland, atasheu ushtarak i Mbretërisë së Bashkuar në Beograd, i cili ishte i pranishëm në Kosovë gjatë konfliktit, dhe i cili e përshkroi termin ‘Shtabi i Përgjithshëm’ si një emërtim i gabuar”, thuhet në parashtresë.

Mbrojtja e ish-kryeparlamentarit Veseli gjithashtu rithekson dëshminë e Susanne Ringgaard Pedersen, drejtuesja e zyrës humanitare të OSBE-së në Kosovë, se “ajo nuk vërejti politikë të gjerë të UÇK-së që synon individë të caktuar”.

Në parashtresë rikthehet edhe deklarimi i Peter Bouckaert, i angazhuar në Kosovë nëpërmjet organizatës për të drejtat e njeriut ‘Human Rights Watch’ se “ai s’kishte parë asnjë gjë të lëshuar nga UÇK-ja që përbente urdhër kundrejt anëtarëve të saj që të vë në shënjestër civilë të pafajshëm apo për plaçkitjen e pronave serbe”.

“Megjithatë, dy Dhoma Gjyqësore të TPNJ-së [Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë] kanë konstatuar, mbi të njëjtat prova, se ‘Shtabi i Përgjithshëm’ (i ashtuquajtur) përbëhej nga një grup i ndryshëm individësh që nuk kishin seli të përcaktuar; jo të gjithë e njihnin njëri-tjetrin; nuk kanë komunikuar të gjithë me njëri-tjetrin; rrallë, nëse janë takuar ndonjëherë dhe nuk kanë qenë gjithmonë të pranishëm në Kosovë. Shkurt, ky organ nuk funksiononte si Shtabi i Përgjithshëm në asnjë kuptim konvencional të termit”, thekson tutje mbrojtja.

UÇK-ja, organizim nga zonat rurale

Mbrojtja e Veselit, e udhëhequr nga avokati Ben Emmerson, potencon se UÇK-ja “përbëhej nga fermerë, studentë dhe të tjerë, pa formim apo trajnim ushtarak. Ata luftëtarë vullnetarë po i përgjigjeshin kolektivisht një fushate krimesh kundër njerëzimit nga forcat serbe në Kosovë”.

“Supozimet e bazuara në marrëdhëniet komanduese në forcat e armatosura konvencionale të një shteti kombëtar nuk janë të vërteta për marrëdhëniet midis të ashtuquajturit ‘Shtabi i Përgjithshëm’, komandantëve të vetë-emëruar në nivel lokal dhe autorëve individualë të dyshuar në terren”.

“Përpjekjet rudimentare për organizimin e popullatës civile shqiptare në një rezistencë të armatosur popullore po kryheshin pasi lufta veçmë po zhvillohej. U miratuan tituj, grada dhe funksione të cilat nuk kishin asnjë lidhje me realitetet në terren”, përvijon parashtresa.

ZPS-ja, dokumente pa nënshkrime dhe të fabrikuara

Mbrojtja e Veselit më tej potencon se pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar bazohen në dokumente e urdhra që janë të panënshkruara e të pambështetura.

“Mbrojtja thekson se pretendimet e ZPS-së bazohen në dokumente dhe urdhra që janë kryesisht të panënshkruara; janë të pambështetura me dëshmi të tjera; dhe përmbajnë gjuhë që është nxjerrë jashtë kontekstit. Duke pasur parasysh natyrën kaotike të ngjarjeve në terren dhe praktikën e mirë-dokumentuar të autoriteteve serbe për të manipuluar provat dhe për të organizuar operacione me flamuj të rremë, do të kishte qenë e arsyeshme që çdo vëzhgues të kishte dyshuar në vërtetësinë e pretendimeve të publikuara”, thotë mbrojtja.

Lidhur me këtë, mbrojtja përmend raportin e OSBE-së për rastin “Panda” në Pejë për fabrikimin e vrasjeve të të rinjve serbë nga UÇK-ja.

Gjithashtu, mbrojtja përmend edhe kërcënimin ndaj ish-senatorit zviceran, Dick Marty, ku u raportua se u tentua të realizohej nga inteligjenca serbe.

“Madje ka pasur disa raportime për një operacion të ngjashëm të flamujve të rremë serb për vrasjen e senatorit Dick Marty gjatë fazës paragjyqësore të procedurës aktuale, që synonte të mashtronte Dhomën Gjyqësore që të besonte se ai ishte vrarë nga UÇK-ja. Vetë zoti Marty është cituar në media duke shprehur shqetësimin e tij për këtë zhvillim”.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të fillojë më 3 prill. 

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...