Live

Mbyllet për publikun seanca ndaj të akuzuarit për vrasje të babait dhe vëllait në veri të Mitrovicës

12:43 / 29 Mars 2023

Nga Kosova Live

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, me propozimin e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Miodrag Brkljaq, është përjashtuar publiku nga shqyrtimi gjyqësor, në rastin ku M.B po akuzohet për vrasjen e babait M.B dhe vëllait të tij U.B, në maj të vitit 2022.

Kërkesën për përjashtimin e publikut, nuk e kundërshtuan prokurori i rastit Ismet Ujkani dhe as mbrojtësi i të akuzuarit B., avokati Mahmut Halimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Miodrag Brkljaq, konstatoi se konsideron që janë plotësuar kushtet që kjo seancë të mbyllet për publikun, pasi gjatë seancës së sotme do të dëgjohet një numër i dëshmitarëve, si dhe do të paraqitet mbrojtja nga ana e të pandehurit, ku ekziston mundësia që të përmenden shumë detaje nga rasti.

“Ekziston mundësia që do të përmenden shumë detaje që kanë të bëjnë me raportet familjare të familjes B., e cila është familje e njohur dhe me prestigj të mirë në Mitrovicë, dhe publikut do i interesonte të dinte më shumë se çfarë ka ndodhur”, deklaroi avokati Brkljaq.

Në lidhje me propozimin e avokatit Brkjlaq, prokurori Ujkani konstatoi se ia lë gjykatës që të vendosë sipas ligjit në lidhje me këtë çështje.

Po ashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit B., avokati Mahmut Halimi tha se e përkrahë propozimin e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Brkljaq, nga prizma e interesit të të mbrojturit të tij, pasi shtoi se i njëjti vuan nga sëmundja e natyrës psiqike dhe se veprën penale e ka kryer në suaza të përgjegjësisë esencialisht të zvogëluar.

Tutje, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Mentor Hajraj, pas konsultimit me anëtarët e trupit gjykues, nxori aktvendim me të cilin u përjashtua publiku nga salla e gjykimit, duke u bazuar në nenin 289, par.3, nënpar.3.2. të KPPK-së, me qëllim të mbrojtjes së jetës personale të të akuzuarit, të dëmtuarve ose pjesëmarrësve tjerë në procedurë.

Në seancën e 21 shkurtit 2023, ekspertja e Institutit të Psikiatrisë Forenzike, doktoresha Valbona Blakaj-Ramadani, ka konstatuar se i akuzuari në kohën e kryerjes së veprës penale kishte aftësi të zvogëluar mendore, duke konstatuar se i njëjti vuante nga çrregullimi depresiv rekurent.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 24 tetor 2022 ka ngritur aktakuzë kundër M.B, me arsyetimin se më 27 maj 2022, në orët e hershme të mëngjesit dhe atë brenda orëve 05:00 – 06:00, në Mitrovicë, në rrugën “Kral Petri”, me dashje dhe në mënyrë dinake ka privuar nga jeta anëtarët e familjes së tij, babain e tij M.B dhe vëllain U.B.

Sipas aktakuzës, si rezultat i mosmarrëveshjeve familjare me prindin e tij M.B, i akuzuari natën kritike shfrytëzon situatën derisa të njëjtit ishin në gjumë, paraprakisht shkon në dhomën e të ndjerit U., ku me thikë të kuzhinës të gjatësisë 33.5 cm e godet në gjoks dhe atë në zonën e zemrës, i cili ishte në gjumë dhe i cili nga goditja vdekjeprurëse nuk ka mundur të ofrojë rezistencë, ndërkohë që thikën ia lë të ngulitur në gjoks.

Pastaj, në aktakuzë thuhet se i pandehuri del nga dhoma e të ndjerit U. ku pastaj i njëjti, i pajisur me thikë tjetër të kuzhinës e pret për një kohë babain e tij M. që të zgjohet nga gjumi për të shkuar në banjo dhe pasi që i njëjti zgjohet nga gjumi dhe drejtohet për në banjo i pandehuri e godet me thikë në abdomen, në këtë rast i dëmtuari M., manifeston rezistencë dhe arrinë që ta rrëzojë të pandehurin në dysheme dhe t’ia marrë thikën, ku pas këtij momenti fillon të thërras djalin e tij U., ku hyn në dhomën e të ndjerit U. dhe e sheh të vdekur.

Tutje, sipas aktakuzës tani i ndjeri M. fillon të bërtas duke kërkuar ndihmë ashtu i lënduar me dy thika të kuzhinës dhe disi troket në derën e fqinjit të tij Drazho Dragoljub, ku pastaj Dragoljubi thërret ndihmën e shpejtë dhe i dëmtuari dërgohet në spital, por i njëjti edhe përkundër përpjekjeve për reanimim ndërron jetë në spital dhe atë si rezultat i gjakderdhjes së brendshme masive në regjionin e barkut, si pasojë e plagës shpuese-prerëse në regjionin e përparmë të barkut, nga veprimi i mjetit të fortë, të mprehtë dhe me maje (thikës).

Ndërkohë, tani i ndjeri U.B vdes si rezultat i gjakderdhjes së brendshme në regjionin e kraharorit, si pasojë e plagës shpuese-prerëse në regjionin e kraharorit, si pasojë e plagëve shpuese – prerëse në regjionin e aortës torakale nga veprimi i mjetit të fortë, të mprehtë dhe me maje (thikës).

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, nënpar.1.3, 1.4 dhe 1.11 të Kodit Penal.

Shpërndaje në

U Kopjua