Live

Mbytet varka me emigrantë në Itali, “Alarm Phone” akuzon autoritetet: Vonuan shpëtimin

17:31 / 12 Mars 2023

Nga Kosova Live

Një varkë me 47 emigrantë që ishte nisur nga ujërat e Libisë drejt Italisë është mbytur. Këtë e bën me dije Organizata ‘Alarm Phone’ që sqaron se në Itali ka rënë alarmi për orë të tëra por është vonuar shpëtimi.

 “Shumë nga 47 personat në bord janë të zhdukur”, shkruan organizata ndërsa shton se janë mbytur dhjetëra persona që ndodheshin në varkë.

Raportohet se autoritetet italiane u kishin dhënë udhëzime anijeve tregtare të pranishme në zonë, por vëzhgimi zgjati vetëm 24 orë. Për këtë arsye Alarm Phone akuzon Italinë për ngjarjen tragjike.

“Nga 2.28 e datës 11 mars, autoritetet u informuan për urgjencën dhe situatën e rrezikshme. Autoritetet italiane vonuan qëllimisht shpëtimin, duke i lënë ata të vdisnin”, shkruan organizata.

Mbrëmë, sipas Alarm Phone (OJQ e krijuar nga një rrjet i madh aktivistësh për të alarmuar shpëtimin në det), kontakti me varkën kishte “humbur”.

Një video e ‘Sea Watch’, e publikuar në Twitter nga gazetari Sergio Scandura i Radio Radicale, tregon varkën në vështirësi shumë të rënda dhe anijet tregtare që përpiqen ta mbrojnë atë nga dallgët, por nuk arrijnë të ndërhyjnë.

Kujtojmë se në muajin shkurt, një tragjedi u shënua në bregdetin itlaiane në Cutro ku 62 persona humbën jetën në përpjekje për të mbërritur në brigjet e Italisë. Mësohet se shkak për këtë tragjedi u bë fakti se trafikantët hodhën në det dhjetëra njerëz për të lehtësuar gomonen me të cilën udhëtonin për të mos u kapur nga policia.

Shpërndaje në

U Kopjua