Ndihmës administratorja e USAID-it, Erin E. McKee, sot është pritur në takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmanit.
McKee ka folur pas takimit me Osmanin, ku është shprehur se e ardhmja e Kosovës varet edhe nga forcimi i sistemit energjetik.
“Ardhmëria e Kosovës varet edhe nga forcimi i sistemit energjetik, ne do të jemi këtu që të ndihmojnë në diversifikimin e furnizimin me energji elektrike. Do t’i ndihmojmë Kosovës që të bëjë tranzicionin drejt dekarbonizimit”, tha ajo.
Ajo u shpreh se normalizimi i raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë, është mënyra më e mirë që do t’i ndihmojë Kosovës.
“Më duhet të jem e qartë se normalizimi i raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë me njohjen e ndërsjelltë në qendër, është mënyra më e mirë që do t’i ndihmojë Kosovës që t’i përmirësojë raportet e saj me vendet fqinje dhe në këtë mënyrë rrjedhimisht edhe të zë vendin e vet në mesin e vendeve të tjera në kuadër të integrimeve evropiane dhe euroatlantike”, u shpreh ajo.
Tutje, McKee u shpreh se vazhdojnë të jenë të gatshëm për t’i ndihmuar të gjitha vendet e rajonit, përcjell Klankosova.tv.
“Ne do të jemi këtu për të gjitha vendet e rajonit, për Kosovë edhe për Serbi, në mënyrë që të krijojmë një mjedis ku të rinjtë nuk do ta shohin të ardhmen më në vendet jashtë atdheut të tyre, por do të shohin një të ardhme në vendet e tyre”, u shpreh tutje ajo.