Live

MD thotë se Kodi Civil “së shpejti” procedohet në Kuvend, shoqëria civile kërkon ndryshime në nenin 1138

11:40 / 02 Mars 2023

Nga Kosova Live

Muaj më parë Ministria e Drejtësisë, deklaroi se drafi i Kodit Civil është finalizuar “me ndryshimet adekuate edhe në nenin 1138”. Por, për këto ndryshime Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD), Arbër Nuhiu, thotë se nuk është në dijeni, derisa shton se nevojiten ndryshime, pasi ankohet se draftkodi ekzistues nuk ofron zgjidhje ligjore për martesat mes personave të seksit të njëjtë.

Në fund të marsit bëhen 1 vit prej kur projektkodi civil nuk arriti t’i marrë votat e mjaftueshme nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Pavarësisht interesimit të Gazetës Express, nga Ministria e Drejtësisë asnjëherë nuk kanë dhënë një datë të caktuar se kur ky projektkod do të procedohet sërish në Kuvend.

Dy muaj më parë, nga ministria e Albulena Haxhiut, thanë se drafti i Kodit Civil pothuajse është finalizuar, me ndryshimet adekuate në nenin 1138.

“Drafti i Kodit Civil tashmë pothuajse është i finalizuar, me ndryshimet adekuate edhe në nenin 1138. Shumë shpejtë, posa të finalizohet nga Zyra e Kryeministrit, i njëjti do të jetë publik dhe do të procedohet për votim”, thuhet në përgjigjen e 14 dhjetorit.

E njëjtë si atëherë, edhe tani, MD thotë se ky projektkod do të procedohet “shumë shpejtë”, pa dhënë ndonjë datë.

“Kodi Civil është prioritet për  Ministrinë e Drejtësisë dhe me rendësi të veçantë për sistemin juridik në Kosovë. Së shpejti, Kodi Civil i kompletuar, me të gjitha adresimet do të procedohet për miratim në Qeveri dhe më pas në Kuvendin e Kosovës. Qeveria e Kosovës për secilin projektligj por edhe këtë projekt Kod do të diskutojë me Kuvendin për përmbajtjen dhe rregullimin që bënë në të ardhmen Kodi”, thuhet në përgjigjen e MD-së për Express.

Se duhet të ketë ndryshime në nenin 1138 e thotë edhe Drejtori Ekzekutiv i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore, Arbër Nuhiu, sepse sipas tij ai asgjë nuk rregullon.

“Dua t’ju informoj që nuk kemi asnjë informatë nëse në draft Kodin Civil ka pasë ndonjë ndryshim në lidhje me rregullimin e martesës në mes të personave të seksit të njëjtë. Për ne, Kodi Civil është akti i dytë ligjor i rëndësishëm, pas Kushtetutës, pasi që rregullon të drejtat civile të qytetarëve të Kosovës, duke përfshirë edhe familjen e rregullimin e martesës. Mu për këtë çështje, nuk jemi aspak të interesuar që ky draftkod të zhagitet dhe të mos hyjë në fuqi sa më parë, pasi çdo vonesë e rregullimit të të drejtave është shkelje e të drejtave të qytetarëve të Kosovës dhe nuk mund të  ketë kompromis me të drejtat civile.”

“Deri tani, ky draftkod nuk ofron zgjidhje ligjore për martesat, bashkëjetesat apo bashkësitë e tjera mes personave të seksit të njëjtë, sepse as neni 1138 dhe as një ligj tjetër në fuqi nuk ofrojnë ndonjë dispozitë që do të materializonte aktualisht martesën në mes të personave të seksit së njëjtë. Pra, Neni 1138 pasi që asgjë nuk rregullon, duhet plotësisht të ndryshohet. Nëse draft Kodi Civil nuk e rregullon çështjen e martesës në mes të personave të seksit të njëjtë dhe nëse nuk është në frymën e Kushtetutës së Kosovës, atëherë në bashkëpunim me Institucionin e Avokatit të popullit do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese për opinion”, tha ai.

Express ka dërguar pyetje në MD për t’i pyetur rreth “ndryshimeve adekuate”, por deri në publikimin e artikullit, nuk kanë kthyer përgjigje.

Çka parasheh neni 1138 i projektkodit civil?

Sipas nenit 1138 të projektkodit civil, martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht mes dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, ndërsa bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara.

“1. Martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua. Martesa është bashkësi jetësore e vazhdueshme e burrit dhe gruas, ligjerisht e rregulluar. Martesa lidhet me dhënien e pëlqimit të burrit dhe gruas dhe nënshkrimin e tyre para zyrtarit të gjendjes civile.

2. Bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara. Kushtet dhe  procedura rregullohen me ligj të veçantë.

3. Bashkëshortët kanë të drejtë të lidhin martesë dhe të formojnë familje pa ndonjë kufizim në bazë të racës, kombësisë apo r eligjionit, si dhe janë të barabartë gjatë lidhjes së martesës, vazhdimit të martesës dhe zgjidhjes së saj.

4. Të martuarit dhe partnerët në bashkësi civile gëzojnë të drejta dhe detyra reciproke në bazë të këtij Kodi”, thuhet në nenin 1138 të projektkodit. 

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...