Live

Më 12 mars mbahet ceremonia e çmimeve Oskar

13:31 / 11 Mars 2023

Nga Kosova Live

Hollivudi po përgatitet për edicionin e 95-të të çmimeve Oskar. Filmi fantastiko-shkencor “Everything Everywhere All at Once”, me regjisorë Daniel Scheinert dhe Daniel Kwan, kryeson me numrin e madh të kandidimeve, plot 11 të tilla. Industria e filmit shpreson ndërkohë që të hedhë pas krahëve incidentin e “shuplakës” që shoqëroi ceremoninë e vitit të kaluar.

Fituesi i çmimit Oscar, për aktorin më të mirë, Will Smith, goditi me shuplakë në fytyrë prezantuesin e ceremonisë Chris Rock, pas një shakaje që ky i fundit bëri me stilin e flokëve të bashkëshortes së tij. Incidenti tronditi miliona shikues në mbarë botën dhe la një shije të hidhur në historinë e ndarjes së çmimit prestigjioz.

Çmimet Oscar do të mbahen të dielën, më 12 mars, në teatrin ‘Dolby’ në Los Anxhelos. Ceremonia pritet të nisë në orën 20:00 me orën lokale dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga rrjeti televiziv ‘ABC News’.

Jimmy Kimmel do të prezantojë për herë të tretë ceremoninë, e për herë të parë që nga viti 2018. Në një reklamë lidhur me ngjarjen e këtij viti, komediani i njohur ndërsa fliste mbi arsyet se pse ai ishte personi i duhur për këtë punë, vuri në dukje se atë, nuk duhet ta godisnin me shuplakë, pasi, ai qante shumë.

Dhjetë filmat që konkurrojnë për kategorinë e filmit më të mirë janë: “All Quiet on the Western Front”, “Avatar: The Way of Water”, “The Banshees of Inisherin”, “Elvis”, “Everything Everywhere All at Once”, “The Fabelmans”, “Tár”, “Top Gun: Maverick”, “Triangle of Sadness”, “Women Talking”.

Akademia e çmimeve Oskar ka thënë se fituesit e të gjitha kategorive do të shpallen drejtpërdrejt gjatë natës së ndarjes së çmimeve. Vitin e kaluar, disa kategori ishin regjistruar paraprakisht, diçka që shkaktoi zhurmë mes anëtarëve të akademisë.

Hiti fantastiko-shkencor me regjisor Daniel Kwan dhe Daniel Scheinert “Everything Everywhere All at Once” vjen me 11 kandidime. “The Banshees of Inisherin”, me regjisor Martin McDonagh dhe “All Quiet on the Western Front” i Edward Berger-it, renditen në vendin e dytë, me nga nëntë kandidime secili. Aktorja Michelle Yeoh që luan në filmin “Everything Everywhere All at Once”, mund të ketë një avantazh të vogël ndaj Cate Blanchett, që luan në filmin “Tár”, për çmimin e aktores më të mirë. Gara për aktorin më të mirë paraqitet më e vështirë, për të konkurrojnë kokë më kokë Brendan Fraser i “The Whale” dhe Austin Butler që luan në filmin “Elvis”.

Në kategoritë e roleve dytësore më të mira, kryesojnë Angela Bassett (“Black Panther: Wakanda Forever”) dhe Ke Huy Quan (“Everything Everywhere All at Once”).

Steven Spielberg me filmin “The Fabelmans” mund të fitojë Oskarin e tretë si regjisori më të mirë, por megjithatë regjisorët, Daniel Scheinert dhe Daniel Kwan, po shfaqur si kryesues.

Ceremonia e çmimeve Oskar e vitit të kaluar, kur Will Smith goditi prezantuesin Chris Rock, përpara se të fitonte cmimin si aktori më i mirë, tërhoqi rreth 15.4 milionë teleshikues, që ishte 56% më shumë nga audienca e ulët rekord prej 10.5 milionë teleshikuesish që u shënua gjatë transmetimit televiziv të vitit 2021, të dëmtuar nga pandemia. Ceremonia e këtij viti me siguri do të shihet si një rikthim “në vendin e shuplakës”.

Oskari i këtij viti vjen mes shqetësimesh të mëdha mbi biznesin e filmit. Viti i kaluar shënoi një ringjallje të sallave të kinemave, pas dy vitesh pandemie, gjë që u vu re tek suksesi i filmit “Top Gun: Maverick”. Megjithatë shitjet e biletave rikuperuan vetëm rreth 70% të biznesit që ekzistonte para pandemisë. ‘Regal Cinemas’, zinxhiri i dytë më i madh i kinemave në vend, njoftoi mbylljen e 39 kinemave këtë muaj./VOA

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...