Mediat serbe i kanë kushtuar vëmendje të posaçme fillimit të gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Në fokus të raportimit të tyre ishte ish-presidenti Hashim Thaçi për të cilin në mediat e Beogradit janë botuar edhe profile të aktivitetit të tij politik.
Rrjeti televiziv N1 raporton se Hashim Thaçi i njohur me nofkën “Gjarpri” ishte ndër themeluesit kryesor të UÇK-së në vitin 1992 dhe udhëheqës i saj politik deri ne mbarimin e luftës.
Ai ishte anëtar i Lëvizjes Popullore të Republikës së Kosovës (LPRK) nga viti 1983 deri më 1993, ndërkaq nga viti 1990 deri më 1993 ishte lider i studentëve të Universitetit të Prishtinës, shkruan N1.
Për shkak të aktivitetit të tij, prokurorë dhe gjykatës të Millosheviqit e kishin dënuar, në mungesë, Thaçin dhe Adem Jasharin, në një proces gjyqësor të mbajtur në Prishtinë.
“Gjykata serbe në Prishtinë, në vitin 1997, e dënoi në mungesë Hashim Thaçin dhe grupin e anëtarëve të UÇK-së në krye me Adem Jasharin me shumë vite burg për shkak të veprave penale të terrorizmit”, raportoi N1.
N1 është ndër mediat më të mëdha në Serbi dhe është televizion opozitar ndaj pushtetit të presidentit aktual serb, Aleksandar Vuçiq.