Dragisha Mijaçiq, koordinator i Grupit Punues të Konventës së BE-së për kapitullin 35, ka komentuar marrëveshjen mes Vuçiqit dhe Kurtit në Ohër për Aneksin e Zbatimit.
Sipas Mijaçiqit, marrëveshja në fjalë ishte “fitore në rrugën e vërtetë diplomatike” pasi të gjithë kishin dalë fitues.
Mijaçiq shprehet se asnjëra palë nuk do të arrijë që të shpëtojë nga detyrimet që kanë marrë.
“Ne shohim se përmbushja e neneve të marrëveshjes nuk është e kushtëzuar reciprokisht, gjë që deri diku ishte kërkesë e Serbisë, që do të thotë se ato zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra.” – tha z. Mijaçiq mes tjerash, përcjell Kosovo-Online.
Sipas tij, kjo nënkuptonte se nuk dihej as kur do të formohej Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
“pala kosovare është zotuar që të negociojë me ekipin evropian formimin e Asociacionit… Ju kujtoj se ambasada amerikane tashmë ka filluar diskutimet për atë temë. Mund ët presim themelimin e Asociacionit. Sigurisht që do të vendoset sepse është kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës… “ – theksoi tutje ai.
Nuk dihet nëse kur flet për nisjen e diskutimeve nga ambasada e ShBA-ve e ka fjalën për takimin e 31 janarit dhe një takim tjetër pasues në fillim të shkurtit, apo edhe për takime tjera për të cilat nuk është i informuar publiku.