Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, në kundërshtim me vendimin e Qeverisë për përdorimin e veturave zyrtare, i ka lëshuar autorizim për një vit zëvendëskryeshefit të APK-së, Bekim Hoxha. Edhe pse vendimi i Qeverisë parasheh që autorizimet të mos lëshohen më shumë se për 72 orë, ministri Peci e ka arsyetuar këtë duke thënë se vetura është dhënë në shfrytëzim për mbrojtjen dhe parandalimin e prerjeve të pyjeve.
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka dalë kundër vendimit të Qeverisë Kurti, për ta privilegjuar zëvendëskryeshefin e Agjencisë së Pyjeve, Bekim Hoxha.
Më 6 janar të këtij viti, Peci ka lëshuar autorizim për përdorim të veturës zyrtare për një vit për zëvendëskryeshefin e APK-së.
Ky autorizim është në kundërshtim me vendimin e Qeverisë Kurti 1, që kishte marrë më 12 maj të 2020, ku kishte kërkuar që të mos lejohet përdorimi i veturave zyrtare jashtë orarit të punës, me përjashtim të disa rasteve që bëhen me autorizim, por jo më gjatë se 72 orë.
Por ministri i Bujqësisë e ka arsyetuar këtë duke thënë se vetura është dhënë në shfrytëzim për mbrojtjen dhe parandalimin e prerjeve të pyjeve.
“Kryeshefi është në funksion, ai e ka mandatin kryesor bashkë me komunat në aspektin e implementimit të taskë-forcës për parandalimin e prerjeve ilegale”, ka thënë ministri Peci.
Hoxha veturën zyrtare e përdor çdo ditë për vajtje-ardhje në punë nga Rahoveci.
Burime të KOHËS thonë se shpeshherë ai udhëton së bashku me bashkëshorten, e cila po ashtu punon në Prishtinë.
“Në ecje e sipër mundet me marrë edhe ndonjë anëtar të familjes, por unë nuk di asnjë rast të tillë të cilin e ka përdorur për qëllime personale. A më keni bërë ndonjë pyetje ose a keni shkruar ndonjëherë për këto veprat abuzive apo abuzimet me prona”, ka thënë ai.
Zëvendëskryeshefi i APK-së, Bekim Hoxha, nuk ka dashur të flasë para kamerës rreth kësaj çështjeje, duke thënë se do të përgjigjet me shkrim.
“Pyetjet i kam marrë dhe do të përgjigjem me shkrim gjatë ditës së nesërme”, ka thënë Hoxha.
Por me shkrim ai nuk është përgjigjur nëse udhëton rregullisht me bashkëshorten, apo vetëm ka rastisur ndonjëherë që të udhëtojnë bashkë me veturën zyrtare. Asaj i ka ndryshuar edhe targat nga zyrtare në civile.
Ka arsyetuar dhënien e autorizimit nga ministri.
“Mandati dhe përgjegjësia në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës ka të bëjë në monitorimin e punëve në parandalimin e prerjeve ilegale, transportit ilegal, mbikëqyrjen e projekteve në sektorin e pyjeve në Drejtoritë Regjionale të APK-së, Mbikëqyrjen e planeve operative të zbatimit të legjislacionit në mes Inspektoratit të Pyjeve dhe MPB-Policisë së Kosovës. Po ashtu, edhe specifikat e tjera me paraqitjen e zjarreve në gjithë territorin e Kosovës si rezultat i veprimeve ilegale në pyje dhe toka pyjore, me ç’rast shumica e aktiviteteve ilegale ndodhin jashtë orarit të punës”, ka shtuar Hoxha tutje.
Hoxha nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS se sa kontrolle apo monitorime i ka bërë gjatë këtij viti jashtë orarit të punës.
Nga 9 deri më 16 nëntor, Hoxha ka qenë në udhëtim zyrtar bashkë me ministrin Peci. Gjatë kësaj periudhe vetura zyrtare nuk ka qenë në oborrin e Agjencisë.
“Ju informoj se Agjencia Pyjore e Kosovës është duke bërë rinovimin e objektit dhe parkingut, dhe gjatë asaj kohe automjetet është dashur të largohen nga parkingu derisa të përfundojnë punimet. Gjatë kësaj kohe automjeti që e përdori unë ka qenë i parkuar në parking të Ministrisë së Bujqësisë nga data 9-13 dhe me datën 14 dhe 15 ka qenë i parkuar në shtëpinë time”, ka thënë ai.
Lidhur me këtë çështje, KOHA ka kërkuar një përgjigje edhe nga Qeveria e Kosovës që nga e enjtja, por nuk ka marrë një përgjigje, përkundër premtimeve nga zyrtarët e saj.