Live

Ministria e Gërvallës shpërfill ligjin, shteti u paguan qira ambasadorëve më shumë se që lejohet

13:02 / 12 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Ilir Kapiti, Mehdi Halimi, Ilir Dugolli, Sabri Kiçmari, janë vetëm disa nga emrat e ambasadorëve që shkelin Udhëzimin Administrativ për vlerat e lejuara për qira për objektet e banimit të të dërguarve diplomatikë në shtetet e huaja, të miratuara jashtëligjshëm nga ministria e Gërvallës.

Ambasadorit Halimi në Paris i paguhen 2,612 euro më shumë sesa limiti i lejuar në udhëzimin administrativ, i cili nuk përfillet në shumicën e rasteve te qiratë e ambasadorëve.

Në dokumentin e siguruar nga Demokracia.com për shpenzimet e qirave për objektet e banimit të shefave të misioneve për periudhën janar-shtator të vitit të kaluar, shihet se shumica e ambasadorëve tejkalojnë limitet për shpenzime të qirave.

Sipas Udhëzimit Administrativ, shpenzimi maksimal për qiratë e objekteve të banimit për ambasadorë kategorizohet në tri grupe. Te grupi i parë, vlera maksimale e së cilës është 2,400 euro, përfshihen shtetet, si Zvicra, Britania e Madhe, Suedia, Japonia, SHBA-ja, Franca, Kanada, Tajlanda, Italia, Turqia, Senegali, Danimarka dhe Panamaja.

Në grupin e dytë, limiti i vlerës së shpenzimeve të qirasë për banim është 2,000 euro, ku përfshihen shtetet, si Turqia, Gjermania, Belgjika, Holanda, Çekia, Hungaria, Italia, Sllovenia, Kroacia, Serbia, Arabia Saudite, Austria, Australia, Suedia dhe Franca.

Te grupi i tretë, vlera maksimale e lejuar e shpenzimeve për qira që është 1,500 euro, ku përfshihen shtetet e rajonit, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bullgaria.

Shkelje të mëdha të këtij udhëzimi vërehen kryesisht në shtëpitë e mëdha diplomatike me rëndësi për Kosovën. Ambasadori i Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli, paguan çdo muaj 1,343 euro më shumë sesa limiti i lejuar për banim. Agron Bajrami, ambasador në Bruksel, shpenzon 200 euro më shumë sesa vlera e lejuar nga Udhëzimi Administrativ.

Demokracia.com ka raportuar edhe në shtator të vitit të kaluar për vlerën e madhe monetare të cilën e tejkalojnë ambasadorët. Zyra e Informimit e ministrisë së Donika Gërvallës, sipas disa e-maileve zyrtare që siguroi Demokracia.com në shtator të vitit të kaluar, i kishte kthyer përgjigje avokates së diplomatit Viskont Jakupi, ku kishte konfirmuar se MPJD, më 17 janar 2022, kishte aprovuar kërkesën për qiranë mujore të banesës së ambasadorit Ilir Kapiti në vlerë prej 3542 funta apo rreth 4230 euro.

Megjithatë, ministrja Gervalla nuk vepronte njëjtë edhe me diplomatët e tjerë në Londër, pasi që diplomatit Viskont Jakupi, i cili kishte shërbyer në këtë vend, nuk i ishte lejuar tejkalimi as aq sa parashihet me Udhëzim Administrativ.

Jakupi kishte kërkuar që t’i lejohej tejkalimi prej 700 eurosh, ku sipas dokumenteve të siguruara nga Demokracia.com edhe lejohet me Udhëzimin Administrativ, por kërkesa nuk i ishte aprovuar nga MPJD. Atij i ishte thënë se tejkalimet e tilla nuk lejohen dhe duhet të paguhen nga buxheti vetanak.

Shpërndaje në

U Kopjua