Ministria e Mbrojtjes ka lëshuar një njoftim lidhur me zjarrin që shpërtheu sot në kazermën e FSK-së në Istog. Në këtë njoftim thuhet se shkaku dhe pasojat e zjarrit po hetohen ende, por ka dyshime se zjarri ka shpërthyer si rezultat i instalimit të vjetruar elektrik.
“Në lidhje me zjarrin e sotëm që ka kapluar njërin nga objektet në Kazermën e FSK-së në Istog, ju njoftojmë se menjëherë në vendngjarje kanë intervenuar pjesëtarët e Regjimentit të dytë të Këmbësorisë dhe personeli përkatës i Komandës së Forcave Tokësore, të cilët të mbështetur nga Njësia e Zjarrfikësve të Istogut, Klinës, Pejës dhe Skenderajt kanë arritur të lokalizojnë zjarrin duke e kufizuar vetëm brenda perimetrit të këtij objekti montazh, kësisoj duke mënjanuar mundësinë e përhapjes në objektet e tjera përreth”, thuhet në këtë njoftim.
“Paraprakisht, nga vendngjarja është evakuar me kohë personeli. Tani zjarri është shuar tërësisht dhe ekipet e specializuara të FSK-së janë duke punuar për sanimin e gjendjes dhe eliminimin e dëmeve tjera kolaterale. Shkaku dhe pasojat e zjarrit janë duke u hetuar nga autoritetet përgjegjëse për menaxhimin e sigurisë së FSK-së, por dyshohet të kenë qenë si pasojë e instalimit të vjetëruar të energjisë elektrike”, thuhet në fund.