Live

Ministria e Sveçlës veproi kundërligjshëm me tenderin për pasaporta, OSHP e kthen në rivlerësim

15:00 / 23 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Qytetarët janë përballur me probleme në muajt e fundit në planet e tyre për udhëtim jashtë Kosovës, apo për të drejtuar automjetin, konkretisht në posedimin me afat të dokumenteve të identifikimit. Institucionet u arsyetuan se pati mungesë të materialit me të cilin prodhohen letërnjoftimet, pasaportat e patent shoferët. Në fakt, ministria që drejtohet nga Xhelal Sveçla nuk i realizoi me kohë procedurat e prokurimit për këtë punë. Një tender i vlerës së madhe u anulua, pas një orvatje disa mujore dhe ministria lidhi kontratë të negociuar. Tash kanë dalë fakte që dëshmojnë se edhe gjatë procedimit të një tenderi të hapur për furnizim më pasaporta u veprua kundërligjëm. Organi Shqyrtues i Prokurimit ka konfirmuar shkelje të Ligjit…

Që gati 1 vit ishte hapur tender i vlerës së madhe nga zyra prokurimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme me titull “Furnizimi me dokumente personale te identifikimit dhe mirëmbajta e sistemeve elektronike”. Vlera e parashikuar e kontratës ishte 12 milionë e 524 mijë euro dhe siç shihet nga titulli, pos furnizimit përfshinë edhe mirëmbajtjen e sistemit për tre vjet. Ankesë pas ankese, në fund, MPB-ja vendosi që të anulojë këtë tender, por paraprakisht negociatat i kishte nisur me kompaninë gjermane “Veridos GmbH” për një tender të ri, me negocim. Në fund vendosi që tenderin e paraparë ta anulojë dhe të furnizohet nga kompania gjermane, të cilën e shpërbleu në dhjetor të vitit të kaluar me kontratë një vjeçare prej 4 milionë e 21 mijë euro.

Dy kompanitë që ishin në garë në tenderin e parë të hapur, kur panë që ministria anuloi procedurën tenderuese, u ankuan në ministri me pretendimin se anulimi i procedurës ishte i kundërligjshëm. Ankesat e tyre u hodhën poshtë, dhe ata pastaj vendosën të ankohen në Organin Shqyrtues të Prokurimit -OSHP, pasi këtë ua mundëson edhe Ligji i Prokurimit Publik -LPP.

Bëhet fjalë për ankesat e kompanive “Augentic GmbH; IN Groupe shpk, me vlerën e ofertës prej 12329261, 27 euro, dhe Grupi i kompanive, “Muhlbauer ID Services GmbH; Ymako SHPK, me vlerë të ofertës prej 12456071, 43 eurove.

Menjëherë pas ankesave, OSHP- ja ka autorizuar dy ekspertët e vetë që të shoshisin provat. Periskopi ka raportuar që ekspertët kanë gjetur që MBP-ja e ka anuluar kundërligjshëm këtë procedurë të prokurimit, andaj ata i kanë rekomanduar Bordit që të anulohet vendimi i ministrisë për anulimin e tenderit dhe lënda të kthehet në rivlerësim me ofertat në garë.

Siç ka parë Periskopi, Paneli i OSHP-së ka nxjerrë vendim para disa ditëve ku ka miratuar raportin e ekspertizës të ekspertëve të vetë dhe ka rekomanduar që të anulohet vendimi i ministrisë. Kanë kërkuar që lënda të kthehet në rivlerësim.

Ministria po e sfidon OSHP-në, sepse akoma nuk e ka njoftuar se e ka formuar një komision për ta kthyer lëndën në rivlerësim. Madje, as nuk e ka pezulluar vendimin për ‘anulimin e procedurës së tenderit’, gjë për të cilën e obligon Ligji.

“Paneli Shqyrtues, duke vendosur sipas dy ankesave të parashtruara nga grupe të operatoreve ekonomik kundër Njoftimit të Vendimit për anulim të aktivitetit te prokurimit “Furnizimi me dokumente personale te identifikimit dhe mirëmbajta e sistemeve elektronike” me numër të prokurimit 214-22-3241-111, iniciuar nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) me datën 09.02.2023, ka marrë vendim që të anulohet vendimi i AK dhe lënda të kthehet në rivlerësim. Në sistemin e e-prokurimit nuk figuron se është pezulluar procedura e prokurimit dhe se nga AK deri më tani OSHP nuk ka marrë ndonjë njoftim për hapat që kanë ndërmarrë andaj për pyetjen tuaj te pare duhet ti drejtoheni autoritetit kontraktues”, kanë thënë për Periskopin nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.

Ndonëse, ministria ende nuk e ka përfillur këtë obligim, OSHP-ja akoma nuk ia ka treguar Ligjin, por thotë se këtë mund ta bëjë në ditët në vijim.

“Duke marrë parasysh që vendimin palët e kanë pranuar me datën 09 shkurt 2023, nëse nuk përfillet vendimi i OSHP-së, konform nenit 105 paragrafi 2. 7 te LPP-se, OSHP do ti marrë masat që i ka të përcaktuara me ligj për të urdhëruar palën që të zbatojë vendimin e lëshuar”, thuhet tutje në përgjigjen e OSHP-së për Periskopin.

Megjithëkëtë, tashmë “Gjykata e tenderëve” është dashur që të aplikojë nenin 105, pasi kanë kaluar afatet kohore të cilat është dashur t’i zbatojë ministria. Aplikimi i atij neni nënkupton nxjerrjen e një urdhërese të prerë që të zbatohet vendimi, në rast të kundërt i merret licenca menaxherit të prokurimit dhe Autoritetit kontraktues i shqiptohet një gjobë në një vlerë prej rreth 5000 euro.

Periskopi ka kërkuar një përgjigje nga MPB-ja lidhur më atë se a do të respektohet vendimi i OSHP-së, por ministri nuk ka dhënë përgjigje.

Sipas dokumenteve që janë të ngarkuara në E-prokurim, oferta e “Augentic GmbH; IN Groupe shpk” ishte vlerësuar nga ministria si e papërgjegjshme për një sërë arsyesh.

Ankesa e “Muhlbauer ID Services GmbH; Ymako SHPK” që e ka bazën e prodhimit edhe në Serbi është hedhur poshtë me arsyetimin se: “Nuk keni dorëzuar në pajtueshmëri më kërkesat në dosjen e tenderit të specifikimit teknik pika 7.4 Hardueri për qendrën e procedimet, nuk është dorëzuar fare oferta teknike, janë bashkangjitur dhe katalogët nga të cilat nuk janë identifikuar kapacitete qe janë kërkuar sipas specifikacionit teknik në Aneksin 1 të Dosjes së Tenderit”. Janë dhënë edhe arsye tjera.

Në raportin e Panelit të OSHP-së që e ka parë Periskopi janë miratuar dy ankesat. Madje ky panel i përbërë nga Bordi i këtij institucioni ka miratuar konstatimin e ekspertit të vet se kompania “Augentic GmbH; IN Groupe shpk” kishte ofertë të përgjegjshme, prandaj vetëm e rekomandonte ministrinë që të kërkonte disa sqarime shtesë lidhur me stafin.

Vendi i OSHP-së: (Këtu)

Me marrjen e këtij vendimi nga ana e Bordit të OSHP-së, është krijuar një situatë e re për ministrinë e cila tashmë është përcaktuar që të furnizohet nga kompania gjermane më të cilin lidhi marrëveshje të negociuar, duke e shmangur konkurrencën. Por, edhe nëse do të kthehet në rivlerësim tenderi i vlerës së hapur, ministria me gjasë do gjejë ndonjë formë tjetër për të anuluar këtë procedurë të prokurimit. Rëndom institucionet e kanë obligim ligjor që të mos bëjnë asnjë lëvizje për tender, derisa të vendosë Bordi i OSHP-së për një procedurë tenderuese, por MPB-ja është thirrë në emergjenca ekstreme, dhe tash po lidh kontratë të negociuar me një kompani që nuk ka garuar fare.

Për shkak se procedurat nuk ishin zhvilluar me kohë, në gjysmën e shtatorit të vitit 2021, MPB-ja kishte lidhur kontratë me negocim me afat prej 12 muajve me kompaninë gjermane “Veridos GmbH” për tenderin “Furnizim emergjent me dokumente të identifikimit dhe mirëmbajtje të sistemeve”. Vlera e kontratës në të cilën ka qenë e përfshirë edhe prodhimi i pasaportave ka qenë 3 929 080,00 euro. Kontratës i kishte kaluar validiteti dhe kompania kishte ndërprerë frazimin dhe ministria operonte me sasi shumë të vogël që patën mbetur në stok për emergjenca./PERISKOPI/

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...