Live

Miratimi i Ligjit/ “Oligarkët që kanë mbi 25 mijë euro dhe nuk munden me i arsyetu, ju konfiskohet pasuria

15:03 / 09 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të dytë Ligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Ky Ligj parasheh që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse ekzistojnë dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Përveç tyre, verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do të bëhet edhe për anëtarët e familjes së tyre dhe palëve të treta, që nënkupton personat te të cilët dyshohet se është bartur pasuria e zyrtarëve publikë.

Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ishte ndër premtimet kryesore të Vetëvendosjes para ardhjes në pushtet, shkruan Reporteri.net.

Projektligji fillimisht ishte kritikuar ashpër nga opozita e shoqëria civile, mori vërejtjet e Venecias, dhe megjithëse kaloi në lexim të parë në Kuvend, Byroja Për Konfiskimin e Pasurisë, u dërgua sërish në Komisionin e Venecias.

Për votimin në Kuvend të Byrosë, ka reaguar edhe Ehat Miftaraj, drejtor i IKD-së, një nga organizatat më të rëndësishme në vend.

Ai shkroi se deri në fund të këtij viti duhet të shihen rezultatet e këtij ligji.

“E tash si të hyn ligji në fuqi, si të funksionalizohet agjencia, oligarkët që kanë mbi 25 mijë Euro dhe nuk munden me i arsyetu, pasuria Ju konfiskohet. Deri në fund të vitit duhet me i pa rezultatet e para të këtij ligji. Tash sa më pak fjalë e më shume vepra/rezultate.” – shkroi ai.

Shpërndaje në

U Kopjua