Republika e Kosovës ka përmbushur edhe një zotim të Samitit për Demokraci, duke miratuar Deklaratën Kundër Ndalimit Arbitrar.
Sipas një njoftimi lëshuar nga Presidenca, thuhet se Republika e Kosovës ka miratuar këtë Deklaratë në marrëdhëniet shtet me shtet, iniciativë kjo e Kanadasë, e cila synon që të mbrojë edhe më tutje të drejtat e qytetarëve, të cilët jetojnë, punojnë dhe udhëtojnë jashtë shteteve të tyre amë.
“Me miratimin e kësaj Deklarate, Kosova rreshtohet krah shteteve të përkushtuara për të drejtat e njeriut, sundimit të rendit dhe ligjit, si dhe pavarësisë së gjyqësorit”, thuhet në njoftim.
Me këtë Deklaratë, Kosova sikurse edhe shtetet e tjera, sipas njoftimit të Presidencës, ka riafirmuar shqetësimin për përdorimin e ndalimit arbitrar nga shtetet për të ushtruar ndikim mbi qeveritë e huaja, veprim ky në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
“Miratimi i kësaj deklarate është hap i rëndësishëm i përmbushjes së zotimeve të bëra nga Presidentja Vjosa Osmani, në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, në Samitin për Demokraci, iniciativë e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden”, thuhet në njoftim