Zëdhënësi kryesor për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Peter Stano ka thënë se afatet e shkurtra nuk e lejojnë Bashkimin Evropian të dërgojë një mision elektoral me rastin e zgjedhjeve në Veri të Mitrovicës.
Stano bën të ditur se ndonëse BE-ja ka marrë një ftesë për të vendosur një Mision të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EU MVZ) për zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme për kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, një gjë e tillë nuk do të jetë e mundur.
“BE-ja ka marrë një ftesë për të vendosur një Mision të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EU MVZ) për zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme për kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, të planifikuara më 18 dhjetor 2022 dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit, të planifikuara më 25 dhjetor 2022. Fatkeqësisht, afatet shumë të shkurtra nuk e lejojnë BE-në të dërgojë një mision elektoral me këtë rast. Metodologjia jonë (duke përfshirë vëzhgimin afatgjatë dhe afatshkurtër), parashikon që çdo MVZ e BE-së të vendoset shumë përpara ditës së zgjedhjeve në mënyrë që të mbulojë dhe të jetë në gjendje të ofrojë analiza të hollësishme të gjitha aspektet e procesit zgjedhor në një raport përfundimtar”, ka deklaruar Stano.
Krahas kësaj, ai ka thënë se BE-ja dënon sulmet e dhunshme në veri të Kosovës dhe u bën thirrje të gjitha palëve të interesit që të përmbahen nga çdo veprim provokues dhe të rivendosin qetësinë menjëherë.
Ndërkaq, ai thotë se autoritetet e Kosovës duhet të marrin parasysh me kujdes të gjithë faktorët e sigurisë për të siguruar që zgjedhjet në veri të vendit të mbahen në kushte paqësore.
Shkaku i zgjedhjeve në veri të vendit vien pas dorëheqjeve të kryetarëve të komunave./rtvdukagjini