Live

Misioni i SHBA-së në OSBE: Të mos glorifikohen kriminelët, detyrë e Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë t’u sigurojnë drejtësi familjeve të viktimave

15:35 / 24 Mars 2023

Nga Kosova Live

Misioni i SHBA-së në OSBE në përvjetorin e e fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s në Kosovë ka thënë se Aleanca Veri-Atlantike ndaloi “një dekadë gjakderdhjeje në Ballkan”.

Në një komunikatë të lëshuar për media, të shpërndarë nga ambasada e SHBA-së në Kosovë, thuhet se është detyrë e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë që t’u mundësohet drejtësia familjeve të viktimave nga lufta e fundit në Kosovë. Ata kanë bërë thirrje të ndalohet glorifikimi i kriminelëve.

“Është detyrë e qeverive të Serbisë dhe Kosovës që të sigurojnë që të gjitha viktimat dhe familjet e tyre të kenë akses të plotë në drejtësi dhe informacion për fatin e më të dashurve të tyre. Ne u bëjmë thirrje të dyja qeverive që të mbështesin përpjekjet për drejtësi dhe llogaridhënie, përfshirë këtu edhe shprehjen kundër glorifikimit të kriminelëve të luftës”, thuhet në komunikatë.

“Njëzet e katër vjet më parë, NATO nisi Operacionin Forcat Aleate për t’i dhënë fund një dekade gjakderdhjeje në Ballkan. Kjo ndërhyrje erdhi vetëm pasi kishte shteruar të gjitha rrugët diplomatike për t’i dhënë fund një fushate brutale të spastrimit etnik të sponsorizuar nga regjimi i Millosheviqit”, vijon më tej komunikata.

Në njoftim përmendet edhe deklarata e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili tha se shteti i tij do të mbetet i angazhuar aktivisht për arritjen e një marrëveshjeje paqësore dhe gjithëpërfshirëse. në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Shpërndaje në

U Kopjua