Live

Mjeku nga Podujeva akuzohet se tentoi ta punësonte mbesën si stomatologe

15:42 / 02 Mars 2023

Nga Kosova Live

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se Prokurori i Shtetit, pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit G.Th., për shkak të veprës penale “Konflikti i interesit”.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri i lartcekur, në cilësi të personit zyrtar (mjek) në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Podujevë, ka marrë pjesë personalisht në një çështje zyrtare, lidhur me përzgjedhjen e një doktori të Stomatologjisë në QKMF Podujevë, dhe atë të mbesës së tij, në atë mënyrë që në cilësinë e anëtarit të komisionit për vlerësimin e kandidatëve në testin me shkrim dhe intervistimin me gojë, ka rekomanduar që e njëjta të zgjidhet si doktor i Stomatologjisë, në konkursin e publikuar më 09.06.2022, e cila është përzgjedhur në këtë pozitë, dhe pas verifikimit të lidhjes familjare ky konkurs është anuluar”, thuhet në njoftimin e Prokurorit të Shtetit.

Tutje, në këtë njoftim thuhet se Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.

Shpërndaje në

U Kopjua