Live

MPB apelon tek qytetarët për bashkëpunim pas situatës së vërshimeve, këta janë numrat e kontaktit

16:12 / 20 Janar 2023

Nga Kosova Live

Ministria e Punëve të Brendshme ka deklaruar se që nga fillimi i reshjeve të shiut, me ç’rast janë vërshuar disa rajone të vendit, Qendra Operative e MPB-së ka ngritur nivelin e angazhimit dhe ka vijuar me koordinimin e të gjitha institucioneve në përballimin më të lehtë të situatës.

Përmes një njoftimi për media, MPB ka bërë të ditur se përveç situatës me vërshime, në disa zona mbrëmë ka pasur edhe rrëshqitje të dheut dhe bllokim të qarkullimit në disa rrugë nacionale, por se pas koordinimit dhe angazhimit ndër-institucional, në orët e para të mëngjesit janë hapur të gjitha rrugët dhe tanimë të gjitha janë të qarkullueshme, transmeton lajmi.net.

“Njësitë Profesionale të Zjarrfikësve në bashkëveprim me Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë arritur të evakuojnë familje që kanë qenë të bllokuar apo në rrezik potencial. Me kërkesë të Komunës së Mitrovicës, Agjencioni i Menaxhimit Emergjent ka dërguar ekipin e pompimit me kapacitet të lartë për intervenim ndërsa është dërguar edhe një cisternë uji për furnizim me ujë të pijes”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Qendra Operative e ministrisë është duke mbledhur ende kërkesat në mënyrë që të aktivizojë kapacitetet institucionale për ndërhyrje të menjëhershme me qëllim të parandalimit të çdo përkeqësimi të mëtutjeshëm të situatës.

MPB ka apeluar tek qytetarët për bashkëpunim me institucionet duke kontaktuar pa pagesë në numrat:

112 – Numri unik emergjent

192 – Policia e Kosovës

193 – Zjarrfikësit dhe

194 – Ndihma e shpejtë.

Shpërndaje në

U Kopjua