Live

Mufail Limani kujton si ishin shpallur zgjedhjet menjëherë pas masakrës në Prekaz

12:40 / 06 Mars 2023

Nga Kosova Live

Analisti Mufail Limani nëpërmjet një statusi në Facebook ka kujtuar kohën kur ndodhi masakra mbi familjen Jashari në mars të vitit 1998, derisa në anën tjetër të Kosovës menjëherë ishin mbajtur zgjedhjet.

Sipas tij, ende pa u varrosur trupat e familjes Jashari në Kosovë, ishin shpallur zgjedhjet.

Limani ka thënë se harresa është konstantja jonë si popull.

“Po e them kështu: UÇK, bashkë me gjithë frymën e rezistencës e të kundërshtimit, në vendin tone kurrë nuk ka qenë, e as është sot, një konstante! Është një variabël! Menjëherë pas masakrës së Prekazit, s’ di a kanë qenë Jasharët të varrosur ose jo, por në Kosovë u shpallen zgjedhje. Nuk ishin bash zgjedhje, por ashtu i quanim. Nuk ishim të lirë, e as shtet, e nuk kishte as institucione, por ashtu atëherë luanim me fjalë, bënim edhe atëherë kinse jemi eksperte të një neosemantike – të lirë, të pavarur dhe sovrane ndaj referencës, sikur që bëjmë edhe sot. Dhe ato “zgjedhje” vërtete u mbajtën! Para se te përfundonte marsi 1998, u tha se “populli” u deklarua me kë është e kundër kujt, me përqindje që nuk na janë shumë të panjohura! Thuajse nuk kishte ndodhur asgjë! Ju kujtohet? Harresa është konstanta jonë!”, ka shkruar Mufail Limani.

Shpërndaje në

U Kopjua