Live

Mungesë e madhe e infermierëve, një infermier kujdeset për 30 pacientë

16:23 / 09 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Funksionimi i shëndetësisë kosovare, është larg nga ajo që parashihet me standardet e OBSH-së. Megjithëse sipas standardeve të OBSH-së një infermier duhet të përkujdeset për pesë pacientë, në Kosovë në disa klinika, ka raste ku një infermier kujdeset për mbi 30 pacientë.

Në Kosovë aktualisht janë të licencuar 18 mijë infermierë. Në të gjitha institucionet shëndetësore punojnë 9 mijë prej tyre, ndërkaq për të pasur shërbime cilësore duhen dhe 5 mijë infermierë të tjerë.

E në mungesë të infermierëve të mjaftueshëm, familjarët detyrohen të shkojnë vet në klinika e të kujdesen për pacientin.

Përparim Berisha, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë të QKUK-së, ka thënë për “IndeksOnline” se ka mungesë të madhe të infermierëve dhe se një infermier kujdeset për 25 pacient, por ka raste ku në disa klinika një infermier kujdeset për më shumë se 30 pacient .

” Mungesa është shumë e madhe. Ka klinika që një infermier kujdeset për deri 32 a 33 pacient. 5 mijë infermierë i mungojnë aktualisht sistemit shëndetësor publik. Për momentin janë 9 mijë. Nevojiten dhe 5 mijë për të pasur mundësi që palët në të ardhmen, mos me u kujdes për pacientët, qysh kujdesen tash në disa raste, por të jenë infermierët dhe ndihmës infermieret. Standardet e OBSH-së janë që një infermier të kujdeset për më së shumti për 5 pacientë në repartet e rëndomta. Kurse intenziva për një pacient”, tha ai.

Ndërsa thotë se infermierët të cilët punojnë në sektorin publik, nuk janë aspak të kënaqur me pagat dhe se përveç ikjes në vendet jashtë Kosovës, është dhe sektori privat i cili është bërë mjaftë atraktiv për ta, duke pasur parasysh ofertat që po iu ofrojnë infermierëve. Sipas tij një infermier në spitale private për një ndërrim të natës paguhet 50 euro, ndërkaq në QKUK paguhet 18 deri në 20 euro. E kjo është arsye e mjaftueshme, që QKUK- ja po braktiset çdo ditë.

“Nuk janë të kënaqur duke pasur parasysh tregun dhe ofertat e punës, që janë shumë të mira nga shtete si Gjermania, ku u sigurohet infermierëve pagat mbi 2400 euro neto për infermierë. Ka oferta dhe nga spitalet private me oferta me paga mjaftë të mira. Infermierët s’janë të kënaqur dhe kanë alternativa tjera. Janë kushtet e punës, pagesat e orëve shtesë për punë gjatë vikendeve. Vlen të ceket që në klinika private ndërrimi i natës për një infermier paguhet deri në 50 euro. Kurse në QKUK 18 deri në 20 euro”, tha ai.

Ndryshe, Vetëm gjatë muajit janar të këtij viti, sipas të dhënave të Odës së Infermierëve të Kosovës (OIK), nga Kosova kanë ikur 38 infermierë. Ndërkaq gjatë vitit 2022 Kosovën e kanë lëshuar 638 infermierë apo shtatë herë më shumë se në vitin 2021.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...