Live

Musliu: Vuçiqi, probleme me njerëz të Radojiçiqit

10:59 / 29 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Drejtori i institutit OCTOPUS, Agim Musliu ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq mbrëmë ka pasur probleme serioze me bindjen e disa njerëzve që përfaqësojnë Milan Radoiçiqin, ndërkohë që ky i fundit nuk ishte i pranishëm në takimin e të mërkurës në Rashkë.

Musliu për KosovaPress ka thënë se pas konfrontimeve verbale që pati në takimin e djeshëm të serbëve, pritet të ketë edhe konfrontime fizike të njerëzve të Radoiçiqit me ata të anës së kundërt.

“Ne si OCTOPUS, edhe më herët kemi paralajmëruar se ka dy rryma kryesore në veri, ku interesat e ndryshme i ndajnë. Vuçiqi mbrëmë ka pasur probleme serioze me bindjen e disa njerëzve që e përfaqësojnë Milan Radoiçiqin. Nuk e di nëse e vërejtët që Milani, krimineli kryesor qe udhëheq veriun, nuk ishte i pranishëm në takim me Vuçiqin në Rashkë. Ju besoj e vërejtët që pati edhe disa konfrontime verbale. Disa sa për sy e faqe, por disa të vërteta”, ka thënë ai.

Sipas tij, paralajmërimi për heqjen e barrikadave është një humbje e Vuçiqit, dhe se ajo nuk do të pranohet pala e Radoiçiqit, e cila është e shtrirë në krim në veri.

“Unë pres që njerëzit e Radoiçiqit tash do të kenë konfrontime edhe fizike me ata të anës kundërshtare. Prandaj, edhe disa kamionë u dogjën. Humbja e Vuçiqit me barrikada, nuk duket se do të pranohet nga pala tjetër, e cila është e shtrirë shumë në krim në veri. Të gjithë akterët në veri janë të përfshirë ose në krim, ose në korrupsion. Shumë para janë dhënë për mirëmbajtjen e këtyre barrikadave”, shtoi ai.

Eksperti i sigurisë nuk la pa përmendur as ndikimin rus, që po gjen shtrirje në veri të vendit.

“Po e përsëris, pres konfrontim mes kriminelëve dhe shërbëtorëve. Këtu është edhe elementi rus, i përfshirë në të dy palët”, përfundoi ai.

Shpërndaje në

U Kopjua