Këshilli i Prindërve të Kosovës, ka njoftuar se kishte kërkuar pushim për nxënësit që të mbahet më 4,5 dhe 6 janar , mirëpo ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, e kishte refuzuar një propozim të tillë.
Pushimi për nxënësit është caktuar të mbahet nga 27 janari e deri më 2 shkurt të vitit 2023.
“Propozimi i Këshillit të Prindërve ishte që ditët e planifikuara për pushim prej 27 janarit e deri më 2 shkurt 2023 të zhvendosen e të bëhet pushim më 4, 5 dhe 6 janar 2023. Kjo meqë (tradicionalisht) për vitin e ri ka më shumë frymë festive e pushimesh dhe kemi shumë mërgimtarë që vizitojnë Kosovën”.
“Me këtë kërkesë, e me këto arsye, i jam drejtuar Ministres së Arsimit, znj. Arbërie Nagavci. Por, Ministrja Nagavci e ka refuzuar kërkesën, duke dhënë arsyetime procedurash administrative. Gjykoj se kërkesa e Këshillit të Prindërve ka qenë e arsyeshme e mundshme për t’u realizuar por nuk ka pasur vullnet nga Ministrja për ta bërë këtë”, ka shkruar Këshilli në Facebook.
Megjithatë, Këshilli ka kërkuar nga prindërit dhe nxënësit që ta respektojnë vendimin e ministrisë së Arsimit dhe mësimi të vazhdojë nga 4 janari.
“Shkollat do të jenë të hapura prej 4 janarit 2023 dhe mësimdhënësit do të detyrohen të jenë në shkolla në ato ditë pune. Andaj mungesa e nxënësve vetëm jua komplikon proceset mësimdhënësve dhe menaxhmentit të shkollave, për çka nuk kemi qenë asnjëherë të interesuar”.