Live

NATO dislokon aeroplanë vëzhgimi në Rumani

18:12 / 17 Janar 2023

Nga Kosova Live

Tre aeroplanët e parë të NATO-s mbërritën në bazën ajrore pranë kryeqytetit rumun të martën.

Ata pritet të ndërmarrin misione zbulimi “për të monitoruar aktivitetin ushtarak rus” nga brenda territorit të 30 vendeve anëtare të aleancës.

Avionët e Sistemit të Paralajmërimit dhe Kontrollit Ajror (AWACS) mbërritën në bazën ajrore Otopeni, pranë Bukureshtit, pasditen e së martës dhe do të fillojnë misione që pritet të zgjasin disa javë.

Këta avionë që NATO i quan “sytë në qiej” janë zakonisht pjesë e një skuadriljeje prej 14 avionësh që qëndrojnë në Gjermaninë perëndimore.

Radarët e tyre të mëdhenj mund të diktojnë avionë që veprojnë edhe qindra kilometra larg.

“Është një konsolidim i qartë i pranisë ajrore të aleancës në krahun lindor. Këto janë kapacitete tepër të rëndësishme ajrore dhe do të thoja se u shtohen kapaciteteve tashmë të pranishme me forca tokësore dhe ajrore në Rumani. Që nga shkurti 2022, avionët e survejimit AWACS kanë bërë patrullime të rregullta në Evropën Lindore dhe në Balltik”, tha Gjeneral Daniel Petrescu, shefi i shtabit rumun.

Që kur Rusia sulmoi Ukrainën më 24 shkurt, aleanca ka rritur kapacitetet e saj në zonë, duke dërguar ndër të tjera grupe luftimi shumëkombëshe në Rumani, Hungari, Bullgari, dhe Sllovaki.

“Me sistemin e paralajmërimit të hershëm ajror, NATO ka vërtet një kapacitet të zhdërvjellët për survejim të ajrit dhe detit. Ekipi im është i përgatitur mirë dhe do të zhvillojmë së shpejti misione nga Bukureshti për një periudhë të kufizuar kohore. Ky është një kontribut i rëndësishëm për vigjilencën e rritur të NATO-s në krahun lindor të aleancës”, tha komandanti i grupit ajror të NATO-s, E-34.

NATO i përdor rregullisht avionët e Sistemit të Paralajmërimit dhe Kontrollit Ajror (AWACS) për të gjurmuar aktivitetin e avionëve rusë pranë kufijve të NATO-s.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...