Live

NATO përgënjeshtron Vuçiqin

13:53 / 12 Gusht 2019

Nga Kosova Live

Misioni i trupave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë ka mohuar mundësinë e ndonjë përkeqësimi të situatës në Kosovë. Duke iu përgjigjur një deklarate të presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, sipas të cilit gjatë vjeshtës ka mundësi për incidente në Kosovë, zëdhënësi i KFOR-it, Pio Sabeta ka thënë se KFOR-i po ndjek me vëmendje situatën dhe po pati nevojë për ndonjë veprim trupat janë të gatshme.

“Gjendja e sigurisë është rezultat i shumë faktorëve, si ekonomia, politika, mirëqenia, të gjitha këto mund të ndikojnë në gjendjen e sigurisë e cila monitorohet çdo ditë në mënyrë që të merren masat e nevojshme”, ka thënë zëdhënësi i ri i KFOR-it, Pio Sabetta.

I pyetur nëse KFOR-i ka njohuri në lidhje organizatën terroriste shqiptare B-13, për të cilën disa media në Serbi pohojnë se ka në plan të sulmojë serbët në Mitrovicën veriore, Sabetta u përgjigj se KFOR-i po e ndjek me vigjilencë dhe në vazhdimësi situatën.

Vuçiq në një bisedë për “TV Prva”, deklaroi se nuk përjashton mundësinë e incidenteve në Kosovë, “porse nuk do të ketë zbatim të planit të B-13, meqë Serbia nuk do të lejojë pogrom ose vrasje të serbëve”.

Mirëpo, Sabetta theksoi se në përputhje me mandatin në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, KFOR-i “nuk ka kurrfarë roli në sundimi e të drejtës ose zbatimin e ligjit në Kosovë dhe nuk është i përfshirë në luftën kundër terrorizmit, meqë kjo është jashtë mandatit të tij, por KFOR-i e ndjek me vigjilencë dhe pa ndërprerë situatën”.

Shpërndaje në

U Kopjua

Të tjera nga Lajme