Dy mjekët nga Vushtrria që janë arrestuar gjatë ditës së sotme nga Policia e Kosovës janë ndaluar për 48 orë.
Kështu ka njoftuar Prokuroria Themelore në Mitrovicë, të cilët kanë thënë se brenda afatit të paraparë ligjor, do të paraqitet edhe kërkesë për caktimin e masës së sigurisë.
“Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, dhe brenda afatit të paraparë ligjor, do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së sigurisë për të dyshuarit” – thuhet në një njoftim të Prokurorisë.
Tutje është thënë se të njëjtët dyshohen se kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
Në komunikatën e Prokurorisë është thënë se prokurori i Shtetit ka urdhëruar Policinë që të arrestojë edhe të dyshuarin e tretë, po ashtu mjek në spitalin e Vushtrrisë, me iniciale I.Z.
Ai po ashtu, sipas Prokurorisë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
“Posa të arrestohet, ndaj të njëjtit do të lëshohet vendimi për ndalim prej 48 orësh, po ashtu edhe për këtë të dyshuar do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së sigurisë” – u tha tutje.
Lidhur me rastin, gjatë ditës është deklaruar edhe Spitali “Sheikh Zayed” në Vushtrri.
Nga ana e spitalit është thënë se dy doktorë e arrestuar dhe i treti që është në kërkim, pas pretendimeve se të njëjtit janë përfshirë në një aferë korruptive, janë suspenduar nga puna.
“Në këtë rast, do të veprojmë në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe me këtë rast dr. I. Z. shkarkohet nga pozita u.d shef i Repartit dhe suspendohet nga puna, po ashtu edhe dr. E. S. dhe dr. A. L. suspendohen nga puna deri në një vendim të ri” – thuhet në njoftimin e spitalit “Sheikh Zayed”.
Gjithashtu, spitali ka treguar se një doktor tjetër është telefonuar për t’u dorëzuar në polici dhe ndaj të njëjtit është marrë vendimi që të shkarkohet nga ushtruesi i detyrës së shefit të repartit në spital.