Live

Ndërroi jetë veterani i UÇK-së, Qazim Zekaj

08:52 / 14 Gusht 2019

Nga Kosova Live

Në moshën 84-vjeçare është ndarë nga jeta veprimtari i çështjes kombëtare dhe veterani i UÇK-së, Qazim Zekaj nga Mojstiri i Istogut. Qazim Zekaj tërë jetën dhe veprimtarinë ia kushtoi çështjes kombëtare. Disa  herë ka qenë i burgosur nga regjimi serb, ndërkaq gjatë kohës së luftës si ushtar ka shërbyer kryesisht në Zonën e Drenicës, ku ka marrë pjesë në shumë beteja rreth Grykës së Llapushnikut dhe maleve të Kosmaçit.

Ish-komandanti i njësitit “Pëllumbi”, Ferat Shala përmes një postimi e ka përkujtuar Qazim Zekën si ushtar  që me shembullin e tij vetëmohues i  kishte frymëzuar rininë për t’iu bashkuar luftës së UÇK-së.

Ja postimi i Shalës:

U rreshtua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si ushtar i orëve të para dhe dha kontribut në themelimin dhe organizimin e njësiteve të para të UÇK-së. Pjesën më të madhe të luftës e kaloi në regjionin e Drenicës dhe ishte pjesëmarrës i shumë betejave që u zhvilluan në këtë zonë. Gjatë luftimeve dhe qëndresës së palëkundur në betejën në Malet e Kosmaçit u plagos rëndë. Ishte shembull i luftëtarit të pa kompromis dhe besonte gjithmonë në fitore. Në mendjen tonë do të kujtohet përherë për idealizmin fanatik, optimizmin dhe vullnetin që i jepte të tjerëve si dhe për urtësinë dhe dinjitetin e një luftëtari të palodhur. Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës për të cilin ishe i gatshëm të jepje edhe jetën. Gjithmonë do të mbetesh në zemrat dhe mendjet tona.

Shpërndaje në

U Kopjua