Live

​Ndërtimi i Stacionit të Autobusëve në Podujevë, komuna: Kushtet atmosferike “ndalën” punimet

15:57 / 26 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Në dhjetor të vitit të kaluar, është vënë gurthemeli për ndërtimin e Stacionit të ri të Autobusëve në komunën e Podujevës, por punimet nuk janë duke u zhvilluar. Nga komuna thanë se shkak për ndaljen e punimeve ishin kushtet atmosferike, derisa shpresojnë që stacioni i autobusëve të jetë i gatshëm vitin e ardhshëm. Ministria e Zhvillimit Rajonal ka ndarë 27 mijë euro këtë vit për ndërtimin e këtij stacioni, derisa kjo shumë nga ministria pritet të rritet vitin e ardhshëm.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Bahri Selimi deklaroi se punimet për Stacionin e Autobusëve në Podujevë nuk kanë vazhduar për shkak të temperaturave të ulëta. Sipas tij, punimet priten të përfundojnë përgjatë vitit 2024.

“Stacioni i autobusëve ka filluar si një nevojë e madhe për qytetin e Podujevës, për shkak se stacioni aktual nuk i plotëson kushtet e stacionit. Është një stacion që në bazë të kategorive të stacioneve rënditet tek stacionet më të ulëta. Prandaj, ne e kemi parë të domosdoshme ndërtimin e një stacioni të ri. Fal bashkëpunimit me Ministrinë e Zhvillimit Rural dhe Ministrinë e Infrastrukturës, kemi ndarë buxhetin së bashku më ta, dhe kemi filluar punimet në këtë stacion…Për shkak të kushteve atmosferike, punimet nuk janë duke u zhvilluar, mirëpo, në bazë të kontratës, plani dinamik është 240 ditë, është projekt dy vjeçar, dhe shpresojmë që në këtë vit, sidomos në fillimin e vitit të ardhshëm 2024, stacioni i autobusëve do të jetë i gatshëm për tu vënë në funksion”, u shpreh Selimi.

I pyetur nëse pozicioni ku kanë filluar punimet për stacionin e ri të autobusëve, është i duhuri edhe për qytetarët që jetojnë larg qytetit, Selimi tha për KosovaPress se ajo pjesë është menduar të jetë pjesa e duhur për ndërtim.

Ndërkaq, për ata qytetarë që jetojnë në një distancë të largët me stacionin, është planifikuar për linjën urbane, gjë që ua mundëson atyre lëvizjen.

“Lokacioni i caktuar për ndërtimin e stacionit të autobusëve, është ajo pjesë ku ne kemi menduar se ka qenë pjesa më e mirë për ndërtim, dhe në fakt brenda qytetit nuk ka pronë publike ku mund të ndërtosh stacion të autobusëve. Pozicioni i tij i rregullon linjat ndërkombëtare, sepse ata ndalen rrugës për t’i marrë udhëtarët për në shtetet perëndimore ku udhëtojnë, tash mundësinë e kanë që të futen në stacion dhe nisjet të bëhen prej stacionit të autobusëve, sepse është afër rrugës magjistrale, e cila të qon nga kufiri në Merdarë… Ne kemi menduar për qytetarët, të cilët e kanë pak më larg stacionin e autobusëve. Me të përfunduar stacioni i autobusëve, e kemi planifikuar linjën urbane dhe Podujeva do ta ketë trafikun urban, një gjë që nuk ka qenë dhe them të drejtën shumë pak qytete e kanë trafikun urban”, potencoi Selimi.

Selimi tha se përveç vonimit të kontratës nga operatorët, nuk ka pasur probleme tjera lidhur me ndërtimin e stacionit. Ai tregoi se Ministria e Zhvillimit Rajonal ka ndarë 27 mijë euro këtë vit për ndërtimin e Stacionit të Autobusëve në Podujevë, derisa kjo shumë nga ministria, pritet të rritet gjatë vitit të ardhshëm.

“Jo nuk kemi pasur asnjë problem tjetër, kontrata ka qenë në OSHP për shkak të ankesave, dhe deri sa është kthyer përgjigja prej OSHP-së është dashur të pritet një kohë goxha të gjatë, përndryshe sigurisht se tash do ishin në mes të punimeve të stacionit. Vlera e tërë projektit është 1 milion e 165 mijë euro. Ne kemi bërë në vitin e kaluar një memorandum të bashkëpunimit me Ministrinë e Zhvillimit Rural, ku një pjesë të mjeteve e kanë ndarë ata dhe një pjesë ne, mirëpo meqë punimet nuk janë zhvilluar atë vit, është bërë edhe një memorandum i ri bashkëpunimi me ministrin Damka dhe tash për këtë vit Ministria e Zhvillimit Rural ka ndarë 270 mijë euro përderisa edhe 200 mijë euro janë ndarë nga ne për stacionin, ndërsa në vitin e ardhshëm ne bazë të marrëveshjes me ministrinë, ministria do të ndajë 300 mijë dhe ne pjesën tjetër që mbetët diku mbi 300 mijë euro”, tha Selimi.

Më 16 dhjetor të vitit 2022 është vënë gurthemeli për ndërtimin e Stacionit të Autobusëve në Podujevë.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...